
Qeveria e Kosovës | Foto: KALLXO.com
77 Ditë pa Ministër të Integrimeve
Kanë kaluar 77 ditë prejse Qeveria Mustafa e ka një ministri pa zot shtëpie.
Ministria e Integrimit Evropian funksionon pa kreun e saj që nga shtatori kur Bekim Çollaku iu bashkua ekipit të Presidentit Hashim Thaçi, këshilltar i të cilit ishte në kohën kur Thaçi drejtonte qeverinë.
Me 9 shtator vetë Çollaku përmes një konferencë për media kishte njoftuar për ndryshimin e zyrës dhe rolit të tij duke kaluar në Presidencë.
http://kallxo.com/bekim-collaku-bashkohet-ekipit-te-presidentit-thaci/
Që nga ajo ditë Kryeministri Mustafa nuk e ka emëruar zëvendësuesin e tij.
Për të mos mjaftuar me kaq, Ministrinë e Integrimit e kishte lëshuar edhe zëvendësministri Ramadan Ilazi, mirëpo qeveria e kishte mbuluar shpejt këtë pozitë, duke e transferuar Anila Statovci-Demajn, nga pozita e zëvendësministres në MASHT në atë të Integrimit Evropian.
Lidhur me gjetjen e zëvendësuesit të Çollakut për KALLXO.com foli zëvendëskryeministri dhe nënkryetari i PDK-së Hajredin Kuçi.
“Ne kemi qenë në fazën e konsultimeve, edhe të brendshme partiake dhe me partnerin e koalicionit, edhe kemi menduar që me riformatizim do të bëhet edhe kjo punë. Tash ose do ta bëjmë me një vendim të njëanshëm nga ana jonë, ose do presim riformatizimin e gjerë,” tha Kuçi.
Kuçi tha se ende nuk është diskutuar për emra konkretë se kush mund të udhëheqë më këtë detyrë.
Sipas tij, kjo vonesë nuk lidhet me çështjen e fatit të Qeverisë, nëse vendi do të shkojë apo jo në zgjedhje të parakohshme.
“Nëse veç edhe një ditë i kish mbetë Qeverisë, na e kishim dërgu ministrin, s’ka të bëjë kjo më punë,” tha Kuçi.
KALLXO.com kishte shkruar edhe në tetor që Partia Demokratike e Kosovës ende nuk e ka gjetur zëvendësimin e ish-ministrit të Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.
Këshilltari i Kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj kishte thënë se janë në pritje të partnerit të koalicionit për ta sjellë propozimin.
“Ne presim që PDK-ja ta propozojë një kandidat, sepse është vend që u takon atyre. Në atë moment që ata do ta propozojnë, Kryeministri Mustafa do ta shqyrtojë atë, pra tash është në taborin e PDK-së,” kishte thënë Gecaj.
http://kallxo.com/pdk-ende-ska-gjetur-zevendesimin-e-bekim-collakut/
Riformatizimi i qeverisë ishte menduar si një përpjekje për zvogëlim të numrit të ministrive dhe kabinetit qeveritar, por qeveria Mustafa vetëm ka shtuar njerëzit e saj.
http://kallxo.com/ldk-se-nuk-pelqen-ideja-e-kadri-veselit/
http://kallxo.com/veseli-kerkon-riformatizim-te-gjere-te-qeverise/
Hajredin Kuçi që dikur mbante 2 poste, si zëvendëskryeministër dhe si ministër i Drejtësisë, sot mban vetëm atë të numrit 2 të qeverisë, duke ia lënë vendin e Ministrisë së Drejtësisë Dhurata Hoxhës, një emri të ri në politikën kosovare.
Edhe Kujtim Shala i LDK-së që dikur mbante 2 poste-atë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Kulturës, u përcaktua të mbetet vetëm ministër, duke ia liruar vendin para disa javësh të aderuarit në LDK Ramiz Kelemendit.
http://kallxo.com/ramiz-kelmendi-emerohet-zevendes-kryeminister/