Ilustrim

74 vjeçari nga Zubin Potoku raportoi në Polici se i janë vjedhur pajisjet për prodhimin e kriptovalutave

Një vjedhje ka ndodhur gjatë ditës së sotme në fshatin Jasenivik të Komunës së Zubin Potokut.

KALLXO.com mëson se janë vjedhur disa pajisje të prodhimit të kriptovalutave vlera e së cilave dyshohet se arrin deri në 36 mijë euro.

Tutje siç mëson KALLXO.com, pronari i tyre është një 74 vjeçar i cili e ka raportuar edhe rastin në Policinë e Kosovës.

KALLXO.com ka kontaktuar me Zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Mitrovicës Besim Hoti, i cili konfirmoi vjedhjen.

“Po mund të ju konfirmoj se ka ndodhur një vjedhje e tillë, por nuk mundemi të përcaktojmë shifrën e saktë të pajisjeve tani për tani. Ekipet policore janë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u marrë me rastin”, tha Hoti.

Kujtojmë se KALLXO.com, javë më parë transmetoi ekskluzivisht pamje të shtëpive në veri të Mitrovicës, ku mbaheshin pajisje që prodhojnë kriptovaluta dixhitale.

Në veri të Kosovës, më saktësisht në komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok e Mitrovicë e Veriut të shumta janë pajisjet të cilat janë vënë në funksion për të  prodhuar valuta digjitale.

Në këto komuna që nga koha e pasluftës nuk paguhet energjia elektrike nga banorët ndërsa shpenzimi i energjisë është rritur vitet e fundit. Kjo për shkak se në këto zona po prodhohet edhe kriptovaluta digjitale.

Disa nga banorët në këto zona pranojnë se prodhimi po bëhet nën arsyetimin se atje nuk paguhet shpenzimi i energjisë elektrike dhe kjo ka bërë më të lehtë prodhimin e kësaj kriptovalute e cila shpenzon shumë energji.

Prodhimi i kriptovalutës digjitale shpenzon energji të madhe elektrike. Pjesa më e madhe e shpenzimit të energjisë elektrike ndodhë gjatë prodhimit të tij ndërsa pas krijimit, energjia e cila shpenzohet është minimale.

Në Kosovë gjatë viteve 2017-2018 sipas statistikave të Doganës së Kosovës ka pasur miliarda importim të pajisjeve për prodhimin e kriptovalutave digjitale.

Përveç pajisjes e cila në pamje duket si shtëpizë e kompjuterit, për prodhim të Bitcoin duhen edhe disa kartela grafike.

Vetëm në katër muajt e parë të këtij viti janë importuar rreth 600 mijë euro kartela grafike ndërsa rreth 3 mijë euro pajisje për prodhim të Bitcoin-ëve.

Në vitet 2017-2017 janë importuar pajisje për prodhim të bitcoin në vlerë të 3 milion e 389 mijë e 566 euro ndërsa kartela grafike në vlerë të 4 milion e 791 mijë e 374 eurove.

VIDEO: Me qindra pajisje që prodhojnë kryptovaluta në komunat e veriut, banorët po i lëshojnë pronat me qira