700 Mijë Euro të BE-së për Sigurinë Ushqimore

Projekti i financuar me 700 mijë euro nga BE-ja do të zbatohet prej Zyrës Shtetërore për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Sigurinë e Ushqimit të Qeverisë së Gjermanisë.

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, tha se deri më tani Qeveria shtetit të saj ka bërë përkrahjen e dy projekteve për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës.

“Gjermania gjithmonë do ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së dhe me zbatimin e këtij projekti Kosova do t’i afrohet përmbushjes së standardeve për zgjerimin e tregut me BE-në,” tha Viets.

Valdet Gjinovci, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës tha se me anë të këtij projekti synohet të bëhet rritja e nivelit të sigurisë së shëndetit publik dhe të zhvillohen metodat e reja testuese.

“Ky projekt pritet të rritë nivelin e mbrojtjes së shëndetit publik me anë të masave kontrolluese dhe edukuese mbi sigurinë ushqimore. Gjithashtu, pritet të krijohen parakushtet për eksportin e produkteve duke mundësuar përdorimin e standardeve të sigurisë ushqimore dhe zbatimin e plotë të legjislacionit,” tha Gjinovci.

Sipas Gjinovcit, projekti do të mbështesë Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës dhe synon zhvillimin e metodave të reja testuese, ngritjen e cilësisë dhe besueshmërisënë rezultatet laboratorike të lëshuara.

Udhëheqësi i Sektorit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Christof Stock tha se ky projekt është vazhdim i një partneriteti të gjatë ndërmjet zyrës së BE-së dhe AUV-it dhe pritet që të ngrihet cilësia e besueshmërisë.

“Ky projekt do të jetë një partneritet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, nuk do të mbetet vetëm projekt teknik dhe mbi të gjitha është e rëndësishme që të rritet siguria e konsumatorit,” tha Stock.

Eberhard Haunhorst, menaxheri i këtij projekti, bëri prezantimin në detaje të tij.

Projekti ka filluar të zbatohet nga muaji shkurt 2016, ndërsa periudha e zbatimit do të zgjasë 24 muaj.