Prishtina I Foto: Atdhe Mulla

7 Ndërtues Dëshmojnë në Gjykimin e Inspektorëve të Prishtinës

Shtatë pronarë të kompanive të ndryshme të ndërtimeve dëshmuan të hënën në gjykimin ku të akuzuar janë ish- kryeinspektori dhe 9 ish- inspektorë  të tjerë të ndërtimit të Komunës së Prishtinës si dhe një biznesmen.

Fadil e Afrim Maxhuni, Bedri Prishtina, Bejtush Gashi, Dashnor Hadri, Driton Gërdovci dhe Azem Rusinovci ishin shtatë dëshmitarët e ftuar nga prokurorja Drita Hajdari për të dhënë dëshmitë e tyre.

Të ftuar nga prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari, i pari në pyetjet e prokurores u përgjigj njëri nga pronarët e kompanisë “Redoni SHPK”, Fadil Maxhuni.

Maxhuni tregoi se kompania e tij kishte ndërtuar dy objekte në lagjen “Arbëria”, ndërsa tregoi se për njërin nga objektet kishin filluar punimet përgatitore

“Objektin e dytë e kemi fillu në tetor 2014, ndërsa fillimisht kemi fillu me mbrojtjen e rrugës përmes pilotëve pastaj kemi filluar me heqjen e dheut”, tha Maxhuni.

Maxhuni tha se nuk i kujtohej saktë  të ishin vizituar nga inspektorët e ndërtimit gjatë asaj kohe, por tha se në atë kohë kishin qenë në procedurë të pajisjes me leje dhe se koha e vizitës mund të gjendet në shkresat e lëndës.

Ai tregoi se përkundër masave mbrojtëse që i kishin ndërmarrë, si pasojë e reshjeve kishte ardhur deri te rrëshqitja e dheut të rrugës.

“Ne pasi që ka ndodhur shembja e dheut ju kemi përgjigjur komunës dhe kemi bërë sanimin e gjendjes”, tha Maxhuni.

Ai tregoi se pasi që ishte bërë sanimi i gjendjes, komuna u kishte lejuar që të ndërtonin deri në pikën 0.

Pyetje ndaj Maxhunit pati edhe Emrush Kastrati, avokat i Ardian Muhadrit. Ai e pyeti dëshmitarin se a i kujtohej të ishte në vendpunishte më 31 korrik 2007 kur inspektori i ndërtimit ishte në vendin e ngjarjes.

Maxhunit nuk iu kujtua kjo përkundër se avokati Kastrati i prezantoi edhe fotografi të bërë nga inspektori në vendin e ngjarjes për të cilat Maxhuni tha se nuk e dinte nëse në foto ishte ai apo vëllai i tij.

Kastrati e pyeti dëshmitarin Maxhuni edhe nëse ishte dhënë urdhër për rrënimin e objektit nga inspektori Ardian Muhadri, por Maxhuni u përgjigj se nuk ishte përgjegjësi e tij të merrej me shkresa por e mbikëqyrësit të objektit.

I vëllai tjetër i Maxhunit, Afrimi tha se nuk ka asnjë njohuri për rastin. Ai madje shprehu habinë që është ftuar për të dëshmuar.

“Unë nuk e di se çfarë po ndodh por sapo u bërë drejtor i kompanisë, më ftuan në gjykatë”, tha Afrim Maxhuni e që u shoqëruar me të qeshura në gjykatë.

Edhe Bedri Prishtina, pronar i kompanisë “Tregtia”, nuk dëshmoi gjatë. Ai madje ishte shumë i pakënaqur që ishte ftuar.

http://kallxo.com/prokurororja-hajdari-krahason-ndertimet-pa-leje-me-demet-e-luftes/

“Unë jam i pakënaqur me etiketimet që më janë dhënë në media, unë jam një pronar i ndershëm  me mbi 400 punëtorë dhe nuk dua që emri im të baltoset”, tha Prishtina.

Kryetari i trupit gjykues i rikujtoi Prishtinës se në gjykatë është i ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe jo të akuzuarit dhe se “çdo qytetar e ka obligim të përgjigjet në ftesën e gjykatës për të dëshmuar”.

Dëshmia e Bejtush Gashit, pronarit të kompanisë ”VG Construction”, u koncentrua lidhur me një objekt banesor që gjendet në Rrugën B në lagjen Mati 1, për të cilën prokuroria pretendon se u ndërtua pa leje, ndërsa Gashi thotë se e ka lejen.

http://kallxo.com/ndertuesit-pa-leje-deshmojne-ne-gjykimin-e-ish-inspektoreve/

Prokurorja Hajdari e pyeti dëshmitarin se a e ka vizituar ndonjëherë Ismet Haliti në vendpunishte, ndërsa Gashi u përgjigj se me Halitin njihej që nga fëmijëria por se nuk i kujtohej se kishte qenë ndonjëherë në vendpunishte.

Edhe avokati i Ismet Halitit, Ramiz Krasniqi e pyeti dëshmitarin nëse kishte pasur mundësi që Ismet Haliti ta kishte vizituar vendpunishten e ai të mos kishte qenë aty në atë kohë, e kjo pyetje mori përgjigje pozitive.

Prokurorja  Hajdari e pyeti më pas dëshmitarin nëse ndonjëherë  i akuzuari Ismet Haliti i kishte kërkuar që t’i largonte inspektorët nga vendpunishtja sepse do të vinin inspektorët në kontroll.

“Po njëherë në telefon”, u përgjigj dëshmitari Bejtush Gashi.

Gashit nuk i kujtohej nëse ndonjëherë të kishte pranuar vendim për rrënim lidhur me atë objekt.

Seanca e radhës do të vazhdoj më 24 nëntor.

Të gjithë të akuzuarit në këtë proces janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e prokurorisë.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që nuk i kanë parandaluar dhe nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Prokuroria po ashtu pretendon se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin  e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare për kryerjen e veprave penale.