7.5 Milionë nga Gjermania për Energji Efiçiente në Komuna

Një marrëveshje për masat e Efiçiencës së Energjisë për ndërtesat e administratës në nivelin komunal në komunat e Prishtinës, Gjilanit, Ferizajt dhe Gjakovës u nënshkrua sot në mes të Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim.

Kryetarët e këtyre komunave ishin të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimi të marrëveshjes në vlerë prej 7.5 milionë euro e cila përfshin një grant 5 milionësh dhe një kredi nga banka gjermane prej 2.5 milionë euro.

“Kjo marrëveshje reflekton bashkëpunimin e jashtëzakonshëm dhe të shkëlqyer që ne e kemi me qeverinë gjermane dhe Bankën Gjermane për Zhvillim në sektorë me rëndësi strategjike. Kushtet të cilat i kemi diskutuar janë shumë të volitshme për buxhetin e Kosovës, me një periudhë trevjeçare si grejs periudhë dhe amortizimi deri 2028”, tha ministri i Financave, Avdullah Hoti pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Sipas tij, norma norma e interesit nuk do të jetë më e lartë se 2.5 për qind dhe se kjo “nuk paraqet ngarkesë për buxhetin e vendit”.

Drejtori i KFW-së për Evropën Juglindore dhe Turqinë, Christof Tiskens, u shpreh i lumtur për nënshkrimin e kësaj marrëveshje në plotësimin e nevojave të vendit

“Me këtë marrëveshje mund t’i mbysim dy zogj me një gur, për arsye se këto investime ofrojnë kushte për në shkollë, spitale, çerdhe dhe i kontribuojnë kushteve të jetës”, u shpreh ai.

Tiskens tha se kjo është pjesë e një programi të qyteteve në të gjithë rajonit me projekte të ngjashme që janë duke u realizuar në shtete të ndryshme.

Kontributi i Gjermanisë në Kosovë përmes granteve dhe kredive arrin në rreth 450 milionë euro.