6 muaj burg për gjakovarin i cili trafikoi migrantë

Istref Shabanaj është dënuar me 6 muaj burg për kontrabandim me migrantë nga Gjykata Themelore e Gjakovës. Ndërsa i akuzuari i dytë në këtë rast Demë Sefaj gjendet në arrati.

Me kërkesën e të akuzuarit Istref Shabanaj, ky dënim nga ana e gjykatës iu zëvendësua me gjobë në shumën prej 2600 euro.

Prokuroria pretendonte se të dy të akuzuarit në shkurt të këtij viti, kishin për qëllim dërgimin e disa emigrantëve në Austri përmes Serbisë.

Në mesin e këtyre migrantëve ishte edhe i dëmtuari Hasan Ademaj, të cilit iu kishin kompensuar 400 euro të marrura nga ana e të akuzuarit Istref Shabanaj.

Në seancën e djeshme, Istref Shabanaj kishte pranuar fajësinë dhe para gjykatës prezantoi marrëveshjen lidhur me pranimin e fajësisë.

Ndërkaq për të akuzuarin e dytë Demë Sefaj, gjykata ka lëshuar urdhërarrest ndaj tij.

Sipas aktakuzës Istref Shabanaj kishte arritur marrëveshje me të akuzuarin e dytë Demë Sefaj, për t`i dërguar disa persona në Republikën e Serbisë dhe më pas në Austri.

Së bashku me këta persona bënte pjesë edhe i dëmtuari Hasan Ademaj, i cili ishte pajisur me pasaportë të falsifikuar të Serbisë, i cili kishte paguar shumën rreth 2500 euro, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza shpjegonte se të akuzuarit Istref Shabanaj dhe Demë Sefaj, iu marrin të hollat të dëmtuarve dhe ikin në drejtim të panjohur, duke mos i dërguar në destinacionin e kërkuar.

https://kallxo.com/merrnin-para-per-ti-derguar-migrantet-ne-austri-permes-serbise-njeri-i-akuzuar-pranon-fajesine/