Zgjedhjet në UP

6 Fakultete të UP-së Zgjedhin Senatorët

Zgjedhjen e 6 senatorëve në bazë të rezultateve preliminare të zgjedhjeve në Universitetin e Prishtinës e konfirmoi për KALLXO.com kryetari i KQZ-së së UP-së Marjan Dema, edhe pse UP-ja ende nuk i ka shpallur rezultatet.

Sipas Demës Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë ka zgjedhur senator Petrit Vocën, Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit Adem Nurën, Fakulteti i Filologjisë Avdi Visokën , Fakulteti Juridik Avni Pukën, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës Naser Kabashin dhe Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike Musli Bajraktarin.

Dema bëri të ditur se në shtatë njësitë tjera akademike do të ketë balotazh. Pjesë e balotazhit në Fakultetin e Mjekësisë do të jenë Myrvete Paçarada dhe Gani Bjaraktari. Paçarada fitoi 64 vota e Bajraktari 53.

Dema tregoi se në Fakultetin e Arteve për një vend senatori do të garojnë Ismet Janova e Astrit Mustafa. Janova në zgjedhjet e djeshme të UP-së fitoi 38 vota, ndërsa Astrit Mustafa 16 vota.

Në Fakultetin e Edukimit në balotazh do të “ndeshen” Begzad Baliu me 20 vota dhe Naser Pajaziti me 6 vota më pak. Jehona Lushaku dhe Shemsi Krasniqi me nga 23 vota do të garojnë për ta përfaqësuar Fakultetin Filozofik në Senat.

Enver Sherifi me 39 vota dhe Ismet Hashani me 17 vota do të jenë në balotazh në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, ndërsa Skender Ahmeti me 23 vota, e Myrvete Badivuku me 15 vota në Fakulteti Ekonomik.

Gara në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike do të zhvillohet mes Sabrije Osmanajt me 14 vota e Valon Raqës me 13 vota.

Në zgjedhje u përfshinë edhe punëtorët e administratës së njësive akademike, ndërsa Marjan Dema tregoi se kush fitoi në to.

“Nga personeli joakademik shkon Fidan Hamiti i ka 39 vota, në balotazh janë Qazim Tahiri me 96 vota dhe Vera Sopi me 73 vota,” shtoi kryetari i KQZ-së Dema.

Ai zgjedhjet i vlerësoi sipas standardeve.

“Dalja në zgjedhje ishte masovike, kanë dalë mbi 94 për qind të stafit akademik, ndërsa stafi joakademik kanë dalë rreth 90 për qind në votime. Nuk është regjistruar asnjë incident, nuk e kemi asnjë pakënaqësi, zgjedhjet kanë rrjedhë në mënyrë të qetë, kanë qenë shumë të hapura, kanë pas mundësi që çdokush me i përcjell, numërimi është bërë në mënyrë transparente, prandaj vetëm mund të konstatoj që me të vërtetë çdo gjë ka qenë në rregull,” tha Dema për KALLXO.com.

Tash Senatit të UP-së i mungojnë shtatë senatorë dhe dekanët, ndërsa kompletimi i Senatit pritet të përfundojë deri në fillim të shkurtit 2016.

Zgjedhjet në të gjitha njësitë akademike të UP-së u mbajtën dje më fillim në orën 8 të mëngjesit dhe përfundim në 16:00 të pasdites. Ato u monitoruan nga KALLXO.com.

Përveç zgjedhjeve të një përfaqësuesi të secilit fakultet në Senat, dje u votua edhe për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillave të fakulteteve, një anëtari të Këshillit të Fakultetit nga administrata dhe 2 përfaqësuesve në nivel të administratës së UP-së për anëtarë të Senatit.

http://kallxo.com/mbyllet-votimi-ne-fakultete/