Bordi i Drejtorëve të Komunës së Gjakovës Foto Komuna e Gjakovës

54 Mijë Euro për 3 Qendra Grumbulluese të Qumështit

Drejtoria e Bujqësisë e Komunës së Gjakovës ka ndarë 54 mijë euro për ndërtimin dhe pajisjen me të gjitha mjetet e nevojshme të tri qendrave grumbulluese të qumështit.

Vendimi për këtë është marrë në mbledhjen e sotme të Bordit të Drejtorëve.

Sipas drejtorit komunal për Bujqësi, Bekim Ermeni, qendrat grumbulluese do të ndërtohen në fshatrat Marmull, Novosellë e Ulët dhe Botushë.

Në mbledhjen e sotme të Bordit të Drejtorëve janë shqyrtuar disa pika dhe janë marrë vendime të ndryshme.

Kështu, me vendim unanim është vendosur që të ndalohet veprimtaria e disko – klubeve brenda territorit të zonës urbane, ndërsa brenda kësaj zone të lejohet vetëm funksionimi i lokaleve të vogla hoteliere – kafiterive dhe restoranteve.

Sipas vendimit, këto lokale mund të punojnë vetëm deri në orën 23:00, me përjashtim të premteve dhe të shtunave, kur mund të punojnë deri në orën 24.00.

Në lidhje me këtë temë, kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se e kupton dëshirën e të rinjve dhe të bashkatdhetarëve për të festuar deri në orët e vona të natës, por në të njëjtën kohë duhet pasur konsideratë edhe për pjesën më të madhe të qytetarëve, të cilët punojnë edhe gjatë sezonit veror, e të cilët i pengon zëri i lartë i muzikës.

Bordi i drejtorëve gjithashtu ka miratuar edhe themelimin e Komisionit për shqyrtimin e ankesave me rastin e shqiptimit të gjobave mandatare nga Inspektorati Komunal dhe ankesave ndaj punës të inspektorëve komunalë.

Sipas kryetares së Komunës, tashmë të gjithë qytetarët kanë mundësi të parashtrojnë ankesa, në të gjitha rastet kur mendojnë se u është bërë e padrejtë nga inspektorët komunalë, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Komunë.

Në takim edhe një herë u është bërë thirrje publike të gjitha ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të aplikojnë për të përfituar nga granti komunal, mundësi të cilën mund ta shfrytëzojnë vetëm edhe nesër deri në ora 15.00.