500 studentë të UP-së, Punë Praktike në Institucione Kulturore

Studentë nga 5 fakultete të ndryshme të Universitetit të Prishtinës do të mund të kryejnë punë praktike me pagesë në institucione të kulturës.

Rektori i UP-së, Marjan Dema ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për pranimin e studentëve për praktikë 3 muajshe.

Ai ka vlerësuar këtë mundësi si realizim i synimit të kahmotshëm të universitetit për të vënë në zbatim dijen e studentëve.

“Lidhja e arsimit dhe shkencës me praktikën është një synim i çdo universiteti prandaj në kuadër të kësaj edhe Universiteti i Prishtinës është duke i bërë hapat  e vet që studentët ta kenë mundësinë që njohuritë e tyre ti zbatojnë në praktikë”, tha Dema.

Përfitues nga kjo marrëveshje do të jenë  Fakulteti Filozofik, Fakultetit i Filologjisë, Fakulteti i Arteve, Fakulteti i Edukimit, dhe Fakultetit i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës.

Ndërkaq, Kujtim Shala, Ministër i Kulturës deklaroi se këtë vit do të testohet kjo mundësi për të vazhduar më pas me zgjerim të projektit.

“Përfshirja e studentëve në punën e ministrisë dhe institucioneve nacionale mendojmë që është rruga më e mirë dhe mundësia më e mirë. Viti i parë do të jetë vit testimi por do të shohim mundësinë që të zgjerohemi”, konstatoi Shala.

Memorandumi do të hyjë në fuqi me 1 janar 2017, ndërsa praktika do të jetë me pagesë, nga 15 deri në 18 euro në ditë. Sipas memorandumit, një student do të ketë të drejtë që brenda javës të punojë dy ditë pune ose praktike, ndërsa periudha e angazhimit në punë praktike zgjat tre muaj.