Foto: RTV 21

50 Vjetët e Kosovës nëpër Mediat Ndërkombëtare

Në Prishtinë u hap sot ekspozita “Rrënjët e Shtetit” në kuadër të aktiviteteve për dhjetëvjetorin e shtetësisë.

Ekspozita kishte në fokus ballinat e medieve botërore, të cilat si referencë e kishin shtetin e Kosovës dhe periudhën 50 vjeçare, prej 68-tës e deri në 2008-tën, Pavarësinë e Kosovës.

Pamjet të cilat ofronin tablotë e ekspozitave, ishin kryesisht nga historia e Kosovës, periudhat nëpër të cilat kaloi populli shqiptar dhe personalitetet e njohura që ndikuan në formimin e historisë.

Organizatorët e kësaj ekspozite, Ardian Arifaj dhe Adil Behramaj, anëtarët e këshillit organizativ për shënimin e 10 vjetorit të pavarësisë, e kanë ideuar dhe realizuar këtë projekt.

Ardian Arifaj, ka folur për idenë e këtij projekti, si vazhdimësi e aktiviteteve tjera në kuadër të 10 vjetorit të Pavarësisë.

Ai tha se është një mënyrë e re për shpalosjen e historisë dhe rrugëtimit të Kosovës.

“Emri i saj tregon më së shumti rrënjet e shtetit, tregon nëpërmjet ballinave të medieve ndërkombëtare 50 vitet e Kosovës”, tha ai.

Janë vendosur në sheshin “Skënderbe”, gjithsej 15 korniza me ballinat e medieve ndërkombëtare, me 110 pamje për Kosovën.

Këto tablo do jenë në shesh përgjatë 3 ditëve tjera.