50 Mijë Numra Falas për Bashkatdhetarët që Regjistrohen
Bashkatdhetarët që do të regjistrohen si pjesë e diasporës do të përfitojnë një numër telefoni të operatorit “Vala” me vlefshmëri 13 muaj.
Në kuadër të fushatës ‘Ti je pjesë e atdheut’ për regjistrimin e mërgatës, Ministria e Diasporës ka vazhduar për herë të dytë marrëveshjen me operatorin “Vala” për ofrim të numrave telefonikë për diasporën.
Ministri Valon Murati në kuadër të kësaj fushate u bëri thirrje bashkatdhetarëve të regjistrohen sepse ky proces sipas tij është i favorshëm për ta dhe për shtetin e Kosovës.
“Shfrytëzoj rastin që publikisht t’i ftoj të gjithë bashkatdhetarët të cilët do të vijnë verës në Kosovë që t’i përgjigjen pozitivisht procesit të regjistrimit të diasporës sepse ky proces është një proces i cili ndihmon Qeverinë e Kosovës, Ministrinë e Diasporës për të projektuar politika më të favorshme në raport me diasporën tonë”, deklaroi Murati.
Ndërsa Agron Mustafa, kryeshef i PTK-së, shprehu gatishmërinë e operatorit ‘Vala’ për të lehtësuar komunikimin e diasporës.
“Ky është roli i ‘Vala’ të cilën e kemi krahas të bërit biznes në vendin tonë ku një pjesë të madhe të vlerave që krijojmë dhe të hyrave ta çojmë tutje te komuniteti jonë, në këtë rast e kryen edhe misionin e vet një kujdes apo një lehtësim në komunikim për ata që i quajmë si më të çmuarit tanë apo diasporës tonë “, u shpreh Mustafa.
Në anën tjetër, Sejdi Hoxha, Kryeshef i Postës së Kosovës, vlerëson se këtë vit Posta e Kosovës është më e gatshme për regjistrimin e diasporës nëpër të gjitha pikat e saj.
“Posta e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet që në zyrat e saj postare t’i shpërndajë formularët e regjistrimit të bashkatdhetarëve tanë dhe po shpresojmë se edhe më mirë se vitin e kaluar do ta kryejmë këtë regjistrim të popullsisë edhe këtë vit”, tha Hoxha.
Numrat që do të shpërndahen do të kenë 30 minuta bisedë, 500 megabajt internet dhe 100 SMS falas.