Kreu i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, dhe ministri i MPMS-së, Arban Abrashi - Foto: KALLXO.com

5 Persona Vdiqën në Vendin e Punës më 2016

Sipas Inspektoratit të Punës, gjatë vitit të kaluar pesë persona kanë humbur jetën në vendin e punës, në ndërtimtari, në krahasim me vitin 2015, kur qenë regjistruar 9 raste të tilla tragjike.

Këto shifra u bënë publike nga kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, i cili prezantoi raportin e punës të Inspektoratit të Punës për vitin 2016 si dhe planin e punës për këtë vit.

Sipas Ibrahimit, të metat kryesore të Inspektoratit ishin moscertifikimi i personave për shëndet dhe siguri në punë si dhe mosinformimi i publikut rreth punës së këtij institucioni. Këto të meta sipas kryeinspektorit do të përmirësohen gjatë vitit 2017.

Në këtë takim, në të cilin ishte i pranishëm edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, u bë e ditur se në ditët në vijim do të hyjë në funksion një web-faqe, e cila do të jetë në shërbim të publikut për t’u informuar rreth të gjithave informatave që Inspektorati i Punës i plason dhe që lidhen me mandatin e këtij institucioni.

“Tani e tutje të gjitha kompanitë janë të obliguara që ta kenë personin e autorizuar për siguri dhe shëndet në punë dhe ne kemi filluar të punojmë në këtë proces sepse duhet të jenë persona të certifikuar në këtë punë dhe të pajisen me këto certifikata”, tha Ibrahimi.

Gjatë kësaj konference u përmend që qëllimi i Inspektoratit të Punës për vitin 2016 nuk ka qenë vetëm gjobitja e punëdhënësve, por synimi ka qenë edukimi i punëdhënësve në lidhje me detyrat që duhet t’i kryejnë ata dhe kjo është arritur duke i informuar punëdhënësit një muaj më herët që do vizitohen nga Inspektorati.

Ministri i Punëve dhe i Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi tha se Inspektorati i Punës është duke bërë një punë të mirë dhe janë duke u munduar të kenë një transparencë më të shtuar me qytetarët.

“Vitin e kaluar kemi filluar një qasje të re, qasje e cila nuk ka të bëjë vetëm me gjobitje, por me edukimin dhe informimin e bizneseve dhe të industrisë, për detyrimet, obligimet dhe kushtet ligjore të cilat ata duhet t’i bëjnë karshi punëtorëve dhe besoj që kjo e ka pasur efektin e vet”, tha Abrashi.

Gjithashtu u përmend se në vitin 2016, Inspektorati i Punës ka realizuar më shumë se 7 mijë inspektime dhe kanë shqiptuar 128 gjoba.

Redaktoi: Naser Sertolli