400 Mijë Euro për Eliminim të Rriqrave

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka ndarë 400 mijë euro për të realizuar fushatën për parandalimin e etheve hemorragjike krime kongo dhe eliminimin e rriqrave në zonat endemike të Kosovës.

Sipas komunikatës së dërguar nga kjo ministri, plani operacional për këtë fushatë tashmë është përfunduar nga kompania e kontraktuar.

“Gjatë kësaj fushate, kjo kompani ka spërkatur zonat endemike në Komunën e Malishevës në një sipërfaqe prej 2 mijë hektarësh që sipas të dhënave zyrtare ky dezinfektim i hershëm për vite me radhë që është financuar nga MBPZhR-ja ka ndikuar pozitivisht në parandalimin e përhapjes së etheve hemorragjike Krime-Kongo, e rrjedhimisht edhe parandalimin e rasteve të mundshme të vdekjes,” thuhet në njoftim.

E pyetur nga KALLXO.com nëse spërkatësi është i dëmshëm edhe për bimët dhe insektet tjera përveç rriqrave, Zyra për Media dhe Marrëdhënie me Publikun e Ministrisë së Bujqësisë e ka mohuar një gjë të tillë.

“Kjo lloj spërkatjeje është e vërtetuar se nuk dëmton as kulturat bujqësore apo aktivitetet tjera, qoftë bletarinë dhe mbi të gjitha ka pas impakt tejet pozitiv. Zbatimi bëhet në fushë, në shkurre me mjete motorike dhe këmbë dhe jo nga ajri,” shpjegoi kjo zyrë.

Sipas kësaj zyreje, zonat më të rrezikuara nga rriqrat janë: Malisheva, Rahoveci, Klina dhe Suhareka.

Fushata e spërkatjes së tillë do të vazhdojë deri në vitin 2018.

Vitin e kaluar dhe në vitin 2014 nuk pati asnjë vdekje nga komplikimet pas pickimeve të rriqrave në Malishevë, por viti 2013 ishte më i kobshmi për këtë komunë.

Para tre vjetësh nga ethet hemorragjike vdiqën 6 persona, ndërsa atë vit numri i pickimeve ishte më i larti i shënuar ndonjëherë.