
Presidenti i ANOC Sheikh al-Sabah në Komitetin Olimpik të Kosovës - Foto: Facebook
4 vjet që nga anëtarësimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar
Të martën e 9 dhjetorit të vitit 2014, Komiteti Olimpik i Kosovës u bë anëtar me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Kongresi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), katër vite më parë kishte shqyrtuar kërkesën e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) për anëtarësim me të drejta të plota. Dhe, me asnjë votë kundër, KOK u bë anëtare e re e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Duke arsyetuar aplikacionin e Kosovës për anëtarësim të plotë, Pierre Miro kishte thënë se Kosova është një vend i sportit.
“Kosova është një vend real i sportit me një strukturë reale të sportit, me 34 federata 8 nga të cilat janë të pranuara ndërkombëtarisht me status të plotë dhe 4 me status të pjesshëm”, kujtojmë të kishte thënë Miro.
Ndërsa kreu i KOK, Besim Hasani kishte deklaruar para të pranishmëve në Kongres se “kjo është një e arritur e madhe por nuk është fundi i rrugës, por është fillimi i një epoke të re për Lëvizjen Olimpike në Kosovë”.
Në Lojërat Olimpike të mbajtura në Rio në vitin 2016, xhudistja Majlinda Kelmendi i solli Kosovës medaljen e parë olimpike. Kelmendi u stolis me medaljen e artë. Lojërat e ardhshme Olimpike do të mbahen në vitin 2020 në Tokio të Japonisë.
Këtë ditë, katër vite më vonë e ka kujtuar edhe KOK, të cilët kanë postuar në Facebook momentin e pranimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
“Sot, 4-vjet më parë, KOK u pranua me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. 4-vjet më parë u thye izolimi i sportit kosovar”, thuhet në postimin e KOK-ut.