4 Vjet e Gjysmë Burg për Tentim Vrasje

Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Kadri Shalën dhe e ka dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim.

Shala është gjetur fajtor për veprat penale – vrasje e rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas vendimit të Gjykatës, në dënimin e shqiptuar, Kadri Shalës do t’i llogaritet edhe qëndrimi i tij në arrest shtëpiak nga data 12 janar 2015.

“Gjykata njëzëri ka marrë këtë vendim dhe shpallë këtë aktgjykim: I pandehur Kadri Shala shpallet fajtor për vrasje të rëndë në tentativë dhe për armëmbajtje pa leje dhe dënohet me burgim unik prej 4 vjet e gjysmë burgim”, tha kryetari i trupit gjykues Arben Hoti.

Gjykata e shpalli fajtor edhe të dëmtuarin, Mon Islamajn, për veprën penale – armëmbajtje pa leje.

“Po ashtu, i pandehuri Mon Islamaj shpallet fajtor për armëmbajtje pa leje. Gjykata i përcakton dënim me burgim prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri nuk do të kryejë vepër të re penale brenda 2 viteve”, tha gjykatësi Hoti.

Sipas aktakuzës, Kadri Shala më datë 30 dhjetor 2014, në Prishtinë, me dashje, duke rrezikuar jetën e punëtores Besime Latifi, ka tentuar ta privojë nga jeta Mon Islamajn.

Incidenti ishte rezultat i një mosmarrëveshjeje rreth mospagimit të një borxhi.

I pandehuri kishte shtënë me revole dy herë në drejtim të të dëmtuarit, duke e goditur në këmbë.

Në seancën e së mërkurës, Kadri Shala kishte shprehur keqardhje për incidentin dhe kishte premtuar se nuk do të kryente asnjë vepër penale.

Kallxo.com shkroi edhe më parë për këtë rast.

http://kallxo.com/akuzuari-per-tentim-vrasje-pranon-fajesine/