Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com
4 vjet Burg të Akuzuarit për Fajde
Gjykata Themelore e Prizrenit e ka dënuar me dënim unik prej 4 vjetëve burg dhe gjobë në shumë 1.500 euro të akuzuarin, Bernard Përlazri nën dyshimet se ka kryer veprën penale të fajdesë.
Përmes një njoftimi për media të lëshuar nga zyra për informim e kësaj Gjykate, bëhet e ditur se B.P. akuzohej për veprën penale të fajdesë ndërsa në njoftim përmenden tre persona të dëmtuar.
“Sipas aktakuzës, B.P. në fillim të vitit 2014, me qëllim që për vete apo personin tjetër, pranon ose kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, të dëmtuarit me iniciale H.G. duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare, varfërinë, pa përvojën ose paaftësinë për të gjykuar e cila reziston me humbje financiare më tepër se 10.000 (dhjetëmijë) euro, në kamat prej 10% për çdo muaj”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.
Gjithnjë, sipas aktakuzës, i dëmtuari tjetër me iniciale L.K. po të njëjtin vit reziston me humbje financiare më tepër se 10.000 (dhjetëmijë) euro, në atë mënyrë që i dëmtuari merr prej të pandehurit shumën prej 12.000 (dymbëdhjetëmijë) euro në kamat prej 15 % për çdo muaj.
I dëmtuari i fundit sipas njoftimit, me iniciale V.D. në fund të viti 2013 reziston me humbje financiare, ku nga i pandehuri merr shumën prej 500 euro me kamatë prej 150 euro në muaj.
Përlazri po ashtu në Gjykatën Themelore të Prizrenit është duke u gjykuar për një rast të vrasjes.
Raportimet lidhur me këtë gjykim mund t’i gjeni këtu.