Gjykimi për vrasjen e Hekuran Morinës | Foto: KALLXO.com

4 Armë u Përdorën në Përleshjen që i Mori Jetën Hekuran Morinës

Në gjykimin e Bernard Përlazrit, të akuzuarit për vrasjen e Hekuran Morinës, ishin ftuar të dëgjohen pesë ekspertë.

Ekspertit mjeko – ligjor Naim Uka pasi dorëzoi raportin me shkrim pyetje i shtruan mbrojtja dhe prokurori.

Kur Dr.Uka, u pyet për lëndimet e marra në fytyrë dhe në gjunjë të Hekuran Morina, ai tha se ato janë marrë me rastin e rrëzimit në tokë pas marrjes së goditjeve nga plumbat.

Ndërsa sa i përket plagëve të marra nga personat tjerë të përfshirë në përleshje eksperti tha se nuk ka pasur raport konkret dhe në mungesë të kësaj është e vështirë që tani pas sa kohe të evidentohet me saktësi se nga janë plagët hyrëse dhe dalëse.

Ndërsa, eksperti i balistikës Ilir Kukaj, shpjegoi armët e përdorura në vendin e ngjarjes.

Kukaj tregoi se në përleshjen e armatosur të para dy vjetëve janë përdorur katër armë. Njëra e kalibrit 9 milimetra dhe tri të tjera të kalibrit 7.62 milimetra.

Edhe pse të pranishëm ishin edhe ekspertët tjerë, palët në procedurë hoqën dorë nga dëgjimi i tyre.

Ndërsa prokurori special, Haki Gecaj, pati propozim që në cilësinë e dëshmitarit për seancën e radhës të ftohet Fadil Morina, vëllai i viktimës Hekuran Morina, i cili kishte qenë i plagosur rëndë në këtë ngjarje.

Meqë nuk pati kundërshtime nga palët, trupi gjykues aprovoi propozimin e prokurorit që në cilësinë e dëshmitarit të ftohet Fadil Morina.

Seanca e radhës u caktua më 17 nëntor 2017.

Përlazri, akuzohet se më 7 shtator 2015 rreth orës 20:28 minuta në Lagjen “Bazhderhana”, në bashkëkryerje me të akuzuarit tjerë Leonard Përlazri dhe Ambroz Përlazri (nipat e tij të cilët gjenden në arrati) të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt për shkak se kundër tij ishte duke u zhvilluar procedura penale e iniciuar nga Hekuran Morina, i shkaktuan lëndime Morinës.

Këto lëndime i ishin shkaktuar Hekuran Morinës me arsyetimin se nuk po e paguante shumën prej 70 mijë eurove, të cilat kinse Beg Morina, babai i Hekuranit, ia kishte marrë borxh Bernard Përlazrit.

Lëndimet Hekuran Morinës iu shkaktuan katër ditë pasi Përlazri u lirua nga paraburgimi ku qëndroi nga marsi deri në shtator 2015.

“Pas katër ditëve të ndërprerjes së paraburgimit dhe pas marrëveshjes paraprake me të pandehurit tjerë, të armatosur, me veturën e markës ‘BMW X5’ pasi i përcjellin lëvizjet e të dëmtuarve të cilët ishin me makinë Hekuran e Fadil Morina si dhe miku i tyre Besim Hoti, të pandehurit pas drejtimit të disa fyerjeve dhe sharjeve me fjalët ‘Ndal bre robt ti q…’ fillojnë të qëllojnë me armë në drejtim të të dëmtuarve”, thuhet në aktakuzë.

Hekuran Morina pastaj vdiq gjatë rrugës për në spital. Lëndime të rënda mori edhe Fadil Morina, i cili u godit me tre plumba, po ashtu me një plumb ishte goditur edhe Besim Hoti.

Gjatë këtyre të shtënave u vu në rrezik edhe jeta e qytetarit Shaip Beqiraj, ashtu që tani i ndjeri Hekuran Morina dhe i pandehuri Fadil Morina duke vepruar në zmbrapsje të sulmit, kanë gjuajtur me armë në drejtim të të pandehurve dhe e kanë goditur qytetarin Shaip Beqiraj duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

I akuzuarit Bernard Përlazri, po ashtu akuzohet edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për gjykimin e Përlazrit.

http://kallxo.com/bernard-perlazri-nuk-sillet-ne-gjykate/