39 Shkelje Ligjore në 17 Komuna
39 shkelje ligjore në 17 komuna janë konstatuar pas shqyrtimit të ligjshmërisë së akteve të kuvendeve komunale të periudhës janar- dhjetor 2015.
Kështu u tha sot në publikimin e Raportit Vjetor të Monitorimit të Komunave për periudhën janar- dhjetor 2015.
Sipas Raportit, natyra e vendimeve të kundërligjshme për të cilat Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka kërkuar nga komunat t’i rishqyrtojnë dhe t’i harmonizojnë me legjislacionin ne fuqi ka të bëjë me dhënien e pronës komunale në shfrytëzim, këmbimin e pronës komunale, bartjen e pronës shoqërore në pronë komunale, procedurat për shpalljen e pronave komunale më interes të përgjithshëm, vendimeve për ndryshim dhe plotësim të statuteve komunale.
Në këtë mes hyjnë edhe bashkëfinancimi i projekteve kapitale në komunë, vendimet për kushtëzimin e qytetarëve për kryerjen e obligimeve ndaj shërbimeve publike, si dhe vendimet për miratimin e deklaratave për Asociacionin e Komunave.
Udhëheqësi i Departamentit për Bashkëpunim dhe Zhvillim Rajonal, Besim Kamberaj, tha se gjatë kësaj periudhe janë konstatuar 39 shkelje ligjore në 17 komuna.
“Pas kërkesës për rishqyrtim, komunat i kanë harmonizuar 26 akte. 10 akte të kundërligjshme nuk janë harmonizuar me ligj, ndërsa 3 akte edhe pse janë rishqyrtuar në kuvendet e komunave, nuk janë harmonizuar sipas rekomandimeve të dhëna”, tha ai.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ljubomir Mariq, tha se ky raport mbledh sfidat e komunave si dhe ofron rekomandime për punët e tyre.
“Sa i përket aktiviteteve ligjore kanë pasur një performancë të mirë, ndërkaq ka mospërputhje ligjore në mes të kryetarëve dhe organeve të brendshme të komunave”, tha ai.
Ministri gjithashtu bëri thirrje që të ndihmohen më shumë komunat në veri.
“U bëje thirrje Institucioneve që të ndihmohen më shumë komunat në veri, dhe të miratohen buxhete më të mëdha”, tha ai.
Udhëheqësi i Departamentit Ligjor dhe për Monitorimin e Komunave, Agron Maxhuni, tha se gjatë vitit 2015, komunat kanë qenë mjaft aktive në ushtrimin e funksioneve të tyre sipas agjendës së planifikuar në përputhje me legjislacionin e zbatueshëm.
“Në kuadër të punës së organeve komunale, gjatë periudhës janar- dhjetor 2015, kuvendet e komunave, bazuar ne planet e tyre të punës kanë mbajtur 461 mbledhje nga të cilat 408 mbledhje të rregullta, 46 të jashtëzakonshme, 6 solemne dhe 1 urgjente”, tha ai.
Sipas këtij raporti, Komuna e Prishtinës është njëra ndër komunat të cilat kanë pasur më shumë probleme në funksionim.
Prishtina është komuna e vetme e cila nuk ka përmbushur obligimin ligjor për mbajtjen e 10 mbledhjeve të parapara gjatë vitit.
Po ashtu, Prishtina renditet e para për mosraportimin e kryetarit para asamblistëve, duke u ndjekur më pas nga Gllogovci, Klina, Novobërda, Parteshi dhe Kllokoti.