Skenë nga shfaqja "I Ligu për Mend"

36 Ditë Prova për Gegnishten e Fishtës

Aktorët e shfaqjes “I Ligu për mend”, komedisë së Gjergj Fishtës të shfaqur premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës mbrëmë, edhe pse e paramendonin të lehtë lojën e tyre në gegnishte, u desh të zhvillonin prova intensive për ta sjellë para publikut gjuhën origjinale të poetit e shkrimtarit shkodran.

Luan Jaha që në këtë shfaqje luajti rolin e Tukes, personazhit kryesor që e pandehte veten të sëmurë mendor, tha për KALLXO.com se ekipi i mirë bëri që të tejkalohen vështirësitë.

“Fillimisht na u ka dok lehtë, po me kalimin e kohës e pamë që është goxha vështirë edhe u desht me punu trefish ma shumë për me mujt me arritë të paktën njëfarëlloj tingulli, njëlloj melodie, se edhe relievi i fjalive ndryshon, dallon prej tonave, e sidomos në teatër është pak vështirë. Kemi mendu që është ma lehtë, po jo nuk ish lehtë,” tha Jaha.

Ai tregoi edhe se sa kohë iu desh ekipit të shfaqjes të përgatitet për të.

“Nëse të tregoj me ditë të doket pak, por nëse të tregoj me orë, në ditë kena punu ka 12 orë minimumi, çdo ditë për 36 ditë… na ka këput me thanë me nji fjalë. Veç mirë, ia vlen kur të pret mirë publiku, ia vlen,” shpjegoi Jaha.

shfaqja1

Regjisori Altin Basha, gjatë konferencës për gazetarë, tha se paranojën e Tukes se është i sëmurë mendor e shfrytëzojnë për përfitime materiale dhëndri i tij dhe mjeku që e kontrollon, ndërsa shërbëtori i shtëpisë mundohet ta shpëtojë Tuken dhe familjen e tij nga ky shfrytëzim.

“Personazhi futet në një cikël intrigash që pastaj e zbulon se e gjitha kjo është një intrige e  dhëndrrit të tij, i cili për arsye se do t’i marrin pasurinë, e fut në këtë paranojë, ia ushqen këtë paranojë. Rreth gjithë kësaj historie lëviz një shërbëtor… shërbëtor i familjes i cili do të përpiqet ta shpëtoj zotërinë e vet,” tha Basha.

Ai tregoi se shfaqja e ka edhe një dimension tjetër-atë të konfliktit mes dy brezave-babait dhe të birit të tij.

“Nga ana tjetër ka një konflikt familjar për shkak djalit të tij, i cili do të jetojë në perëndim, do të studiojë në perëndim, e i ati do ta mbajë në shpi të ngujuar, do ta kthejë në shërbëtor për t’i msu përpunimin e barnave, mbulimin e barnave, pra baba do ta posedojë të birin në shërbim të vetvetes, gjithë botën do ta kthejë në shërbim të vetvetes,” tha Basha.

Edhe Shkëlzen Veseli që në shfaqje luajti rolin e Tartofedit, mjekut që kontrollonte Tuken, përmendi vështirësitë e përshtatjes me gjuhën e kësaj komedie.

“Qaty [te gjuha] ka qenë pak hezitimi në fillim kur e kemi marrë me lexu si tekst provat e para, po mandej jemi stabilizu edhe e kemi gjet një rrugë të mirë qajo që realisht u pa sonte tash nuk e di qysh pritet qysh e vlerësojnë po na jemi ndi shumë mirë,” tha Veseli.

shfaqja2

Aktori Adrian Morina që luante rolin e dhëndrit të Tukes, uroi që shfaqja të jetë sa më gjatë në repertoarin e Teatrit Kombëtar.

“Është një komedi shumë e rrallë e Fishtës, më së pari edhe ne si aktorë shumë vonë e kemi marrë vesh që ky tekst ekziston. Besoj që këtu në Teatrin Kombëtar kjo shfaqje do të jetojë gjatë dhe besoj që menaxhmenti i Teatrit Kombëtar do të bëjë çmos që t’ua servojë sa më gjatë publikut,” tha Morina.

Repriza e parë e “Të Ligut për Mend” u dha sot, ndërsa komedia e Fishtës do të shfaqet edhe nesër.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri