Droga e konfiskuar

35 vjeçari arrestohet me kokainë

Policia shqiptare ka njoftuar se gjatë një aksioni ka arrestuar në flagrancë me substanca narkotike të llojit kokainë një shtetas në fshatin Libonik-Maliq.

I arrestuari E.B., 35 vjeçar sipas policisë së shtetit është banues në Korçë.

“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, kanë vijuar me kontrolle si rezultat i të cilave, mbrëmjen e djeshme në një lokal, në fshatin Libonik-Maliq, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: E.B, 35 vjeç, banues në Korçë”, bën të ditur policia shqiptare.

“Pasi gjatë kontrollit të çantës së tij personale, iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale 52.6 gr lëndë e dyshuar narkotike e llojit Kokainë. Veprimet e mëtejshme procedurale u kryen nga specialistët e Seksionit për Narkotikët në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë materialet e sekuestruara i kanë kaluar Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Prodhimi e shitja e narkotikëve” parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.