Foto: Qëndron Kastrati/Facebook

33 fermerë nga Kamenica përfituan grante nga Ministria e Bujqësisë

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka njoftuar se për këtë vit Kamenica është njëra nga komunat që ka përfituar më së shumti grante për fermerë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Sipas tij, përfitues të këtyre granteve janë 33 fermerë nga të gjithë sektorët.

Duke e marrë parasysh që Kamenica ka kushte shumë të favorshme për zhvillimin e bujqësisë e blegtorisë, do mundohemi jashtëzakonisht shumë që t’u qëndrojmë afër fermerëve dhe t’i mbështesim për gjithçka që ata kanë nevojë, tha Kastrati.

“I jam mirënjohës drejtorit të DBPZhR-së, Naim Arifi dhe stafit të tij, për përkushtimin dhe angazhimin e vazhdueshëm”, ka shkruar Kastrati në Facebook. 

Në sektorin e blegtorisë, 11 fermerë janë përfitues për ngritjen e stallave për lopë qumështore, 1 fermer është përfitues në infrastrukturë për lopë qumështore, 4 fermerë janë përfitues për ngritjen e stallave për majmëri të viçave, 2 fermerë janë përfitues për ngritjen e stallave për dele dhe 1 fermer është përfitues për përpunimin dhe prodhimet bujqësore në nivel të fermës.

Në sektorin e bletarisë, 10 fermerë janë përfitues për prodhimin, përpunimin dhe promovimin e mjaltit kurse në sektorin e pemëtarisë, 1 fermer është përfitues për ngritje të pemishtes për pemë dru frutore dhe 1 fermer është përfitues për depo për ruajtje të pemëve.

Nga sektori i perimkulturës, 2 fermerë kanë përfituar grant për ngritjen e serrave.