3000 Euro Gjobë AAK-së për Përdorim të Fëmijëve në Spotin Politik

Ankesa e BIRN dhe Internews Kosova është pranuar si e bazuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ndaj subjektit politik AAK.

pZAP-i i ka shqiptuar kësaj partie dënim me gjobë në vlerën prej 3,000 eurove.

Më 10 tetor 2017 BIRN dhe I/KS kishin parashtruar ankesë në PZAP me të cilën pretendonin se subjekti politik AAK ka publikuar dhe shpërndarë një video promovuese të kandidiatëve për kryetarë të komunave, ku janë përfshirë fëmijë në spot politik.

Në përgjigjen në ankesë, subjekti politik AAK, ka theksuar se video- incizimi është filmuar nga kompania që ka përgatitur spotin me të cilën kanë lidhur marrëdhënie kontraktuale.

AAK, po ashtu në përgjigje ka thënë se e ka kontaktuar komaninë në fjalë, duke i kërkuar në mënyrë urgjente të bëjë heqjen e sekuencave incizuese ku paraqiten fëmijët.

PZAP, pasi që shyrtoi të gjitha shkresat e lëndës, gjeti se ankesa është e bazuar.

“Nga videot incizuese të ofruara si provë të cilat gjenden në shkresat e lëndës shihet qartë se subjekti politik AAK, me rastin e fushatës zgjedhore përmes një video-incizimi të lansuar ka bërë fushatë me fëmijë të mitur”, thuhet në arsyetimin e vendmit të PZAP-it.

Paneli zgjedhor më tutje saktëson shkeljen që ka bërë AAK-ja.

“Veprime këto që janë në kundërshtim me nenin 5.2 të Rregullës Zgjedhore nr.13/2013 pasiqë subjekti politik ka promovuar fushatë zgjedhore me fëmijë të mitur”, vijon arsyetimi i vendimit të PZAP-it.

Në këtë nen përcaktohen kategoritë e personave që nuk mund të përfshihen në fushatë, në mësin e të cilëvë edhe përsonat që nuk i kanë mbushur 18 vjet.

KALLXO.com shkroi se subjektet politike nga ankesat e BIRN dhe Internews Kosova vetëm dje janë dënuar në vlerën e 18 mijë eurove.