Ndertesa e qeverisë, Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla

300 Mijë Euro për Delegatët e 2 Korrikut 1990

Qeveria e Kosovës ndau sot 300 mijë euro për delegatët e Kuvendit të Kosovës që më 2 korrik 1990 miratuan deklaratën kushtetuese me të cilën atëherë e shpallën Kosovën njësi të barabartë të ish-RFJ-së.

Me këto mjete do të kompensohen delegatët që vepruan nga viti 1990 deri më 24 maj të vitit 1992.

“300 mijë euro janë ndarë për këta delegatë. Shuma prej 300 mijë euro është ndarë për vitin 2017 dhe do të ndahet proporcionalisht për 111 deputetët e atij Kuvendi”, tha ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Skender Reçica.

Ministri tregoi se ato mjete do t’i marrin delegatët, bashkëshortja ose bashkëshorti ose edhe fëmijët e tyre”.

Në lidhje me këtë vendim, Kryeministri Haradinaj tha se po përmbushet një e drejtë e mohuar që një kohë të gjatë.

KALLXO.com më 2 korrik të vitit të kaluar kur u shpall deklarata kushtetuese e 2 korrikut, shkroi se 35 nga delegatët e atëhershëm tashmë nuk janë mes të gjallëve.