MInistria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit - Foto: Atdhe Mulla

30 Mijë Eurot e Ministrisë Pak për “Dokufestin”

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka disa ditë që ka publikuar listën e institucioneve përfituese të subvencioneve të saj.

Sipas një komunikate të Ministrisë, ajo ka ndarë 816 mijë e 300 euro subvencione për Departamentin e Kulturës.

Përfitues i këtyre subvencioneve është edhe Festivali i Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër “Dokufest” që ka marrë 30 mijë euro.

Drejtoresha e “Dokufestit” Nita Deda tha për KALLXO.com se ky subvencion nga ministria është shumë i mirë në krahasim me mospërkrahjen nga Komuna e Prizrenit.

“Është pozitive që ka rritje sepse Ministria e Kulturës për dallim nga Komuna e Prizrenit e cila ka ngecur, çdo vit po ka një rritje të mbështetjes, por mendojmë se kjo nuk është e mjaftueshme për nga madhësia e festivalit, por edhe nga përfitimet që i sjell festivali vendit tonë, si për nga prurjet kulturore, por edhe në rritjen ekonomike gjithashtu,” tha Deda.

Zëdhënësi i Ministrisë së Kulturës, NdueUkaj tha se ministria do të vazhdojë që të përkrahë të gjitha aktivitetet të cilat janë në të mirë të vendit.

“Ne do të vazhdojmë të mbështetim aktivitetet të cilat janë të rëndësishme për Kosovën dhe sigurisht që gjatë viteve tëardhshme do të ketë edhe rritje të tjera të subvencioneve,” tha ai.

Kurse sa i përket “Dokufestit” ai tha se ky subvencion është i mirë dhe do të jetë në funksion të organizimit të festivalit.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë 250 mijë euro subvencion edhe për Qendrën Kinematografike të Kosovës.

Sipas Ndue Ukajt kjo rritje e buxhetit për Qendrën Kinematografike të Kosovës në 1 milion euro ka ndodhur si rezultat i punës së këtij institucioni.

“Normalisht që ne do të vazhdojmë përkrahjen për kinematografinë dhe siç kemi njoftuar edhe në komunikatën zyrtarë që përkrahja vjen pas suksesit të jashtëzakonshëm që ka pasur Kinematografia e Kosovës më shumë filma, e veçmas me filmin “Shok,” tha ai.

Filmi “Shok”në kategorinë e filmave të shkurtër  ishte sivjet kandidat për “Oscar”, por nuk mundi ta marrë këtë çmim.

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës Arben Zharku tha për KALLXO.com se kjo rritje do t’i ndihmojë QKK-së për realizim të më shumë projekteve filmike.

“Është një lajm shumë i mirë për ata që merren me film sepse të gjithë ata që do të aplikojnë në Qendrën Kinematografikë do të kenë gjasa më të mëdha për t’u financuar, sepse kemi me pasë një buxhet më të madh dhe mundësi me mbështetë më shumë projekte filmike,” tha ai.

Zharku gjithashtu tregoi se Qendra Kinematografike së shpejti do të hapë edhe konkursin e filmave që do të mbështeten nga ky institucion.

“Ky është lajmi më i mirë për ata që bëjnë film. Ne së shpejti kemi me e hapur konkursin dhe do të presim aplikimet dhe ky subvencion do të ndikojë pozitivisht që më shumë projekte të mbështetën sivjet,” tha ai.

Përveç “Dokufestit” e Qendrës Kinematografike, Ministria e Kulturës dha 459 mijë euro për Divizionin e Arteve Skenike, Muzikore dhe Pamore ku bëjnë pjesë projekte  të ndryshme nga muzika, filmi, teatri dhe nga ekspozitat, kurse 70 mijë e 250 euro janë ndarë për botimin e librave dhe për revista letrare.

Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit  më 15 mars dha edhe 799 mijë euro për disa nga federatat sportive të Kosovës.

http://kallxo.com/vazhdojne-subvencionet-nga-mkrs-ja/

[interaction id=”56f97a503cdf6f0e1791d391″]