30 Ditë Paraburgim për Shtetasin e Shqipërisë

Nën dyshimin se ka kryer veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi masën e paraburgimit prej një muaji shtetasit të Republikës së Shqipërisë me inicialet V.L.

V.L., i lindur në Lezhë, i datëlindjes 1992, dyshohet për këtë vepër pasi që të njëjtit i është gjetur substancë narkotike e llojit marihuanë në sasi prej rreth 91 gramësh.

Gjykata ka aprovuar kërkesën  e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktimin e masës më të rëndë të sigurisë, paraburgimit, për shkak se sipas kërkesës së Prokurorisë i dyshuari mund të fshihet apo arratiset pasi që është shtetas i Shqipërisë.

Caktimin e masës së sigurisë ndaj të mbrojturit të tij, avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare, Asdren Hoxha, e vlerësoi si të ashpër dhe të paargumentuar mirë.
“Gjykata vendosi të aprovojë kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi të caktojë masën e sigurisë – paraburgim për të akuzuarin. Ishte një kërkesë formale, jo e arsyetuar mjaftueshëm, e zakonshme siç ushtrohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë”, tha Hoxha.

Avokati Hoxha tha se asnjëra nga kushtet ligjore për të cilat është kërkuar dhe caktuar paraburgimi nuk janë plotësuar.

“Bëhet fjalë se kinse ekziston dyshimi i bazuar se personi ka qenë në posedim të tyre, çka nuk qëndron; rreziku i ikjes që është shtetas i huaj, edhe pse kjo nuk duhet të parafrazohet automatikisht sepse si të jetë shtetas i huaj duhet t’i caktohet paraburgimi por duhet t’u jepet peshë dhe rëndësi provave që gjenden në shkresat e lëndës. Shkaku i dytë ishte ndikimi në dëshmitar, çka e vlerësoj krejt periferike, sepse nëse dëshmitari ka ditë diçka atëherë kjo hyn në sferën kriminale, ndërsa nëse nuk ka ditë – është i parëndësisëëm, dhe e treta – rreziku i përsëritjes, çka nuk qëndron, sepse ky person nuk ka qenë më parë i gjykuar”, tha Hoxha për KALLXO.com

Avokati tregoi se do të apelojë këtë vendim dhe se me vendime të tilla po cenohet siguria juridike në Kosovë.

“Unë do të apeloj këtë vendim dhe do të kërkoj drejtësi sepse mendoj që siguria juridike në Republikën tonë është e rrezikuar. Mjafton vetëm pak rrethana të caktuara që çështja të nxirret nga konteksti dhe të shqyrtohen në kuptim të këndvështrimit të prokurorisë, të ndjekjes penale, çka nuk duhet të jetë medoemos”, tha Hoxha.

Asdren Hoxha kritikoi prokurorinë, duke thënë se meqë nuk mund të ndjekin penalisht të vdekurin po e ndjekin në këtë rast të gjallin.

V.L. ishte ndaluar ditën e shtunë nga Policia e Kosovës pasi që i ishte gjetur narkotik në një çantë që ai kishte. I dyshuari ka mohuar se narkotiku që ju gjet ishte i tij.

Shtetasi shqiptar kishte ardhur në Kosovë me një shok, sipas tij, me qëllim që të luajnë futboll, por shoku i tij, E.P, ishte gjetur i vdekur në një banesë në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

V.L. tha se çanta ku u gjet narkotiku ishte çantë e përbashkët me tani të ndjerin, ndërsa për asnjë moment nuk kishte njohuri se aty kishte substancë narkotike.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme ka raportuar se V.L. ishte ndaluar nga Policia e Kosovës dhe ndaj tij ishte caktuar masa e ndalimit policor.

http://kallxo.com/ndalim-policor-per-shokun-e-personit-qe-u-gjet-i-vdekur/