282 Mijë Vetura u Regjistruan Vjet

Shifrat për këto mjete i jep Agjencia e Statistikave të Kosovës(ASK), ndërsa sipas shënimeve të kësaj agjencie vitin e kaluar janë regjistruar 18.46 për qind më shumë mjete motorike dhe jomotorike, në krahasim me vitin 2014.

ASK-ja bën të ditur se nga mjetet e regjistruara vjet 281,847 janë vetura, 30,846 automjete transportuese nën 3.5 tonë dhe pjesa tjetër janë automjete transportuese mbi 3.5 tonë, ku hyjnë autobusët, kombibusët, rimorkiot.

Sipas raportit “Ekonomia e Veturave” të institutit GAP, mesatarja e vjetërsisë së veturave në Kosovë është 18 vjet.

GAP-i gjithashtu në raport thotë se  brenda dy vjetëve janë mbledhur 21.8 milionë euro të hyra doganore nga veturat e përdorura dhe 3.2 milionë euro më shumë nga veturat e reja.

Ky institut thotë se Kosova importon 500 milionë litra karburant në vit dhe me djegia e karburanteve prodhon 1.5 milionë tonë dioksid të karbonit (CO2) në vit.

Në anën tjetër deri në vitin 2015 janë shtruar 2,012 kilometra rrugë.

4 për qind janë autoudhë, 31 për qind rrugë nacionale, ndërsa 65 për qind janë rrugë regjionale. Sipas ASK-së 95 për qind e rrugëvenë Kosovë janë të asfaltuara dhe 4.5 për qind të paasfaltuara.