282 filma shfaqen në kuadër të edicionit të 18-të të ‘Dokufestit’

Një program masiv prej 282 filmash, muzikë, nga iso-polifonia e deri te muzika elektronike eksperimentale, ekspozita, festival të fëmijëve, e shumë aktivitete tjera do të karakterizojnë edicioni e 18-të të Dokufestit.

Edicioni i 18-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “Dokufest” mbahet nga 2 deri më  10 gusht 2019 në  Prizren.

Organizatorët kanë pohuar në një prononcim të Kallxo.com se tema e festivalit këtë vit është “E vërteta”, që njëherësh është edhe në thelb të filmit dokumentar.

Kjo temë do të theksohet dhe shtjellohet në një numër të madh të aktiviteteve, përfshirë edhe programin e filmave, si dhe në një numër të madh të debateve.

Filmat e Dokufestit të sivjetëm do të shfaqen në 10 kinema në qytetin e Prizrenit, duke përfshirë një kino të re solare me të cilën do të shfaqen filma në lagje të ndryshme të qytetit.

Gjatë këtij edicioni do të ndahen edhe një sërë çmimesh, për çmimet: Filmi më i mirë dokumentar nga Ballkani; Filmi më i mirë dokumentar i të drejtave të njeriut; Filmi më i mirë dokumentar i ambientit; Filmin më i mirë dokumentar ndërkombëtar, në dy kategoritë, i shkurtër dhe i gjatë; Filmi më i mirë kombëtare; Filmi më i mirë shkurtër dhe Çmimi i publikut.