Foto-ilustrim

28 Vjet Burg për Vrasje të Dyfishtë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka gjetur fajtor për veprën penale të vrasjes dhe ka dënuar me 28 vjet burg Hamit Tahirin.

Hamit Tahiri bashkë me Muharrem Kosumin akuzoheshin se në vitin 2006 në rrugën e fshatit Zhiti të Komunës së Podujevës për motive të hakmarrjes vranë Xhevat e Ardian Tahirin.

Lajmin e dënimit të Tahirit për KALLXO.com e konfirmuan avokatët e tij mbrojtës, Nikë Shala, Skender Musa dhe Nuhi Uka.

Avokati Nikë Shala tha se vendimi ishte i rëndë duke pasur për bazë rrethanat lehtësuese.

”Mendoj se vendimi për lartësinë e dënimit është i rëndë për të mbrojturin tonë pasi që gjykata është dashur t’i ketë parasysh rrethanat lehtësuese. Ai është penduar për veprën e tij, ai ka pasur probleme shëndetësore para dhe pas rastit, ngjarja ka ndodhur qe një kohë mjaft të gjatë, ndërsa gjithashtu koha e kryerjes së veprës ka qenë në errësirë dhe nga i akuzuari nuk kanë mundur të identifikohet viktimat dhe të dëmtuarit,” tha Shala.

Më 15  prill të këtij viti, gjatë procesit gjyqësor, tash i dënuari Hamiti ishte ankuar për probleme shëndetësore nga pagjumësia, duke kërkuar që seanca të shtyhej.

Edhe avokati Skender Musa foli njësoj si kolegu i tij Shala për dënimin.

“Unë në këtë rast kam qenë i angazhuar së bashku me avokatin Nikë Shala dhe Nuhi Uka. Ky është një dënim shumë i rëndë duke pasur parasysh që i akuzuari e ka pranuar veprën,”tha Musa.

Musa gjithashtu tha se do të bëjë ankesë nëkoordnimim me avokatët tjerë të këtij rasti.

Por Nuhi Uka, avokati i tretë i Tahirit ishte më i butë ndaj vendimit.

“Konsideroj se është një vendim i arsyeshëm duke pasur parasysh rrethanat lehtësuese ndaj të mbrojturit tonë, e veçanërisht faktin që ai është penduar, ka pasur probleme shëndetësore para dhe pas rastit si dhe nuk ka qenë më parë kryes i ndonjë vepre penale,” tha Uka.

Ndryshe nga Hamit Tahiri që u dënua, i akuzuari tjetër Muharrem Kosumi u shpall i pafajshëm.

Mentor Neziri, avokati i Kosumit vendimin për lirimin e të mbrojturit të tij e konsideroi të drejtë dhe të pritur.

Për veprën e Tahirit, sipas Kodit të vjetër të Procedurës Penale parashihej dënimi nga 10 deri në 40 vjet burgim.