270 mijë euro investime në Qendrën Rinore të Vushtrrisë, ende jashtë funksionit

Ndërtimi i Qendrës Rinore në Komunën e Vushtrrisë ka përfunduar gjatë vitit të kaluar, por kjo qendër  në të cilën u investuan rreth 270 mijë euro  nga Ministria për Kulturë Rini dhe Sport ende nuk është funksionalizuar.

Kjo qendër nuk është funksionalizuar ende vetëm për shkak të rrjetit elektrik që duhet të furnizoj të gjithë objektin me energji elektrike.

Arianit Jashari, udhëheqës i Organizatës joqeveritare “Access” tha për KALLXO.com se mosfunksionalizimi i Qendrës Rinore ju ka shkaktuar mjaft shumë vështirësi në punën e tyre, pasi që kanë mungesë të hapësirës për punë.

“Kemi mungesë të zyrave për të punuar për projekte, për fazën përgatitore të tyre”, tha Jashari për KALLXO.com.

Osman Gashi, zyrtarë për informim në Ministrinë e Kulturës tha se përgjegjësia për rrjetin elektrik i takon Komunës së Vushtrrisë.

“Përgjegjësia për sigurimin e energjisë elektrike për Qendrën Rinore është e Komunës së Vushtrrisë. Sigurimi i trafos nuk është paraparë as me kontratën e ndërtimit të Qendrës Rinore në Vushtrri dhe MKRS-ja nuk e ka për obligim sigurimin e saj”, tha Gashi.

Ai shtoi se Komuna ka bërë kërkesë për mjete shtesë në MKRS për një gjë të tillë por MKRS-ja nuk investon në trafo sepse për një gjë të tillë janë të obliguara komunat përkatëse me KEDS-in.

“Sa më shpejtë  që Komuna lidh objektin me trafo duke e siguruar energjinë elektrike për Qendrën në fjalë, atëherë MKRS-ja në koordinim me Komunën mund të përcaktojnë procesin e përurimit për Qendrën Rinore në Vushtrri”, tha Gashi për KALLXO.com.

Ndërsa Fatmire Cecelia, drejtoreshë për Kulturë Rini dhe Sport në komunën e Vushtrrisë ka thënë për KALLXO.com se nuk është bërë me kohë planifikimi për çështjen e energjisë elektrike.

“Qendra Rinore ne Vushtrri nuk është në funksion për shkak të rrjetit elektrik, për shkak të mos planifikimit me kohë për zgjidhjen e çështjes së energjisë elektrike e cila do ta furnizonte objektin e Qendrës Rinore” tha Cecelia.

Ajo shtoi se akoma nuk kanë arritur që ta realizojnë kyçjen në rrjetin elektrik, megjithatë janë shumë afër zgjidhjes së kësaj çështjeje.

“Besojmë se shumë shpejt do të arrijmë ta funksionalizojmë këtë objekt, i cili do t’u shërbej shumë të rinjve vushtrrias”, tha Cecelia për KALLXO.com