Foto: AFP/REL

27 sirianë kanë kërkuar azil në Kosovë

Nga 458 persona që kanë kërkuar azil në Kosovë gjatë këtij viti, shumë nga ta vijnë nga zonat e luftës.

Por, qëllim i tyre nuk është të qëndrojnë në Kosovë, por ta përdorin si transit për të arritur në vendet e Europës perëndimore.

Njëri prej tyre është Samer Shek Yousef.

Ai po lexon librin e shenjtë – Kuranin.

Samer po lutet për dy fëmijët e tij që janë në Siri.

Sipas tij, në çdo pjesë të Sirisë është luftë, ka rrezik.

“Unë jam këtu sepse dëshiroj të shkoj në Europë, sepse në Siri është luftë, shumë njerëz kanë vdekur. Unë dua siguri… 10 shokë të mi kanë vdekur“, thekson Samer.

Në luftën e Sirisë janë vrarë mbi 500 mijë njerëz. miliona të tjerë kanë ikur nga vendi.

Në Qendrën për Azil në Magurë është edhe 22 vjeçari Ali Hamadi, i cili ka bërë një javë rrugë deri sa ka ardhur në Kosovë.

“Kemi ikur shkaku i luftës. Kam dalë për t’u kujdesur ekonomikisht për familjen, sepse ata janë në Siri dhe unë jam i martuar. Gjendja është shumë kritike”, thotë Aliu.

Në Qendrën e Azilit në Magurë janë 45 azilkërkues.

“Ka azilkërkues nga Siria që kanë nevoja specifike, të ndryshme. Ka persona që kanë trauma për shkak se në vendin e tyre është luftë dhe sipas vlerësimit, shtypen të drejtat dhe liritë e njeriut dhe ne e kemi për obligim që t’i trajtojmë përmes sociologëve dhe psikologëve”, thotë Fitim Zariqi, drejtor i Qendrës për Azil. (REL)