27 Mijë Dollarë Investim për Komunitetet në Gjilan

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri,  ka nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit me Caroline Onekalit, nga Zyra e OKB – së në Kosovë për përkrahjen e komuniteteve, në vlerë prej 27 mijë dollarë, ku parashihet investimi në infrastrukturë publike në zonën ku jetojnë komunitete të ndryshme.

“Në fjalën e tij kryetari Haziri ka falënderuar Zyrën e OKB – së për Përkrahjen e Komuniteteve në Kosovë, për financimin e projektit “Green Market” (tregut të gjelbër mobil), në afërsi të objektit të Kishës Ortodokse në qytetin e Gjilanit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjilanit.

Haziri ka thënë se me këtë investim bëhet një zgjidhje e mirë dhe krijohen kushte të favorshme për shitjen e produkteve të ndryshme që janë kryesisht nga fusha e bujqësisë.

Ndërsa, përfaqësuesja e Zyrës së OKB-së për Përkrahjen e Komuniteteve, Caroline Onekalit, ka thënë se gjithnjë kanë mbështetur projekte që kanë qëllim bashkëjetesën, punën, përkrahjen dhe integrimin e të gjithë qytetarëve pa dallime etnike.