Nga një takim i ish-Presidentes Jahjaga me ish-deputetët e 2 korrikut

26 Vjet nga Deklarata Kushtetuese

111 delegatë e shpallën Kosovën më 2 korrik 1990 njësi të barabartë të federatës ose konfederatës jugosllave, duke nisur me këtë veprim rrugën e gjatë drejt pavarësisë që kaloi nëpër rezistencë paqësore dhe luftë të armatosur.

Para 26 vjetësh këta delegatë para dyerve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës dhe nën rrethim policor të ish-pushtetit serb e jugosllave  lexuan këtë deklaratë, për të vazhduar më pas me miratimin e Kushtetutës së Kaçanikut në shtator të të njëjtit vit.

Më pastaj u mbajtën edhe zgjedhjet e vitit 1992 dhe 1998 të cilat nuk u njohën ndërkombëtarisht, nisi lufta e UÇK-së dhe bombardimet e NATO-s.

Kosova u shpall shtet i pavarur 18 vjet pas miratimit të deklaratës kushtetuese të 2 korrikut.

Deklaratën e 2 korrikut Kryeministri Mustafa e vlerësoi një ngjarje që i parapriu pavarësisë.

“Është ky një akt me vlera tē veçanta historike, i shpallur në rrethana dhe kohë tepër të vështira, nga njerëz të vendosur dhe të përkushtuar për vendin e tyre,” kujtoi Mustafa 2 korrikun në Facebook.

Deklaratën kushtetuese të 2 korrikut e komentoi edhe Presidenti Hashim Thaçi.

“Përmes kësaj Deklarate shprehej vullneti i qytetarëve të Kosovës për avancimin e të drejtave deri në nivel të Republikës dhe të shkëputjes nga Serbia,” shkroi Thaçi po ashtu në Facebook.

Kryetari i kuvendit Kadri Veseli sot do të presë ish-delegatët që shpallën deklaratën kushtetuese.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli sot do të presë ish-delegatët që shpallën deklaratën kushtetuese.