Prokuroria Themelore në Gjilan, Foto: KALLXO.com

26 vjeçari i kërkon marrëdhënie intime të miturës për të mos i publikuar fotografitë intime

Një e mitur nga Gjilani është shantazhuar para dy ditëve nga një person i dyshuar.

Prokuroria Themelore në Gjilan, mbrëmë rreth orës 21:00, ka ndaluar të dyshuarin B.J, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se ka shantazhuar të miturën.

Prokuroria ka njoftuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se, më 23 janar 2019, rreth orës 20:00, në Gjilan, i pandehuri B.J, 26 vjeçar, përmes rrjetit social Facebook, ka shantazhuar të miturën e moshës 14 vjeçare.

Prokuroria ka njoftuar se i pandehuri ka shantazhuar të miturën, duke kërkuar nga ajo që të kenë marrëdhënie intime, ose në të kundërtën do t’ia publikonte fotot e saj intime, të cilat e njëjta i kishte bërë me ish të dashurin e saj.

Prokuroria pretendon se me këto veprime, i dyshuari ka cenuar nderin dhe autoritetin e të dëmtuarës.

Prokuroria, ndaj të dyshuarit, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente në Gjilan, pasi që ekziston mundësia e ndikimit te e dëmtuara dhe dëshmitarët, si dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore në Gjilan.