26 Tabela Elektronike për Shkollat e Pejës

Shkollat e komunës së Pejës janë pajisur edhe me 26 tabela elektronike, të cilat, sipas drejtuesve komunalë, do të shërbejnë për ngritjen e cilësisë së arsimit.

Tabelat e mençura (Smart board) janë siguruar falë bashkëpunimit të Komunës së Pejës dhe mësimdhënësve nga Italia.

Kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, në ceremoninë e shpërndarjes së tabelave tregoi se për realizimin e këtij projekti institucioni që drejton ai ka dhënë 32 mijë euro, e rreth 60 mijë euro janë donacion nga Italia.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, Besim Avdimetaj, tregoi se nga dy tabela elektronike u janë dhënë Gjimnazit “Bedri Pejani” dhe Shkollës së Mesme Teknike “Shaban Spahija”, e nga një shkollave të tjera.

“Për momentin 26 shkolla janë të pajisura në këtë fazë pilot. Shpresojmë që edhe tridhjetë të tjera për vitin e ardhshëm” tha drejtori i Arsimit, i cili shpreson se këto tabela do të shërbejnë në ngritjen e cilësisë së mësimit në shkolla, sidomos ne lëndët profesionale dhe shoqërore.
Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe drejtorët e shkollave që morën tabela të mençura.

 

Ndonëse theksoi se këto tabela në vendet e zhvilluara janë afër nxjerrjes jashtë përdorimit, “sepse po përdoren tabela më të avancuara, që janë me të prekur”, Arben Gjikolli, drejtor i Shkollës Teknike, në emër të personelit të shkollave dhe të prindërve ka falënderuar institucionet komunale për investimin e bërë, pasi që kjo, sipas tij, është hyrje në pjesën e zhvillimit të digjitalizimit të shkollave, e cila ka të bëjë me ngritjen e cilësisë në arsim.

Autoritetet komunale u zotuan se investimet të tilla në shkollat e Pejës pritet të ketë edhe në vazhdim.