26 Kompani të Interesuara për Studimin e Fizibilitetit të 'Trepçës'

Tenderi i hapur i prokurimit për ofruesin e shërbimeve profesionale për studimin e fizibilitetit të “Trepçës” ka ngjallur një interesim të madh të kompanive dhe konzorciumeve ndërkombëtare, njofton Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Kështu, 26 kompani e kanë marrë dosjen e tenderit deri më tani, përderisa 7 nga to kanë dorëzuar ofertat.

Në ndërkohë, menaxhmenti i AKP-së ka formuar Komisionin për Vlerësim të Ofertave nga ekspertë të brendshëm. Për të monitoruar procesin janë ftuar pjesëtarë të shoqërisë civile si dhe përfaqësues të zyrave diplomatike në vend.

Në mbledhjen e sotme të Bordit të Agjencisë së Privatizimit është diskutuar gjerësisht mbi statusin e “Trepçës”, kornizën ligjore, operacionet ditore, të hyrat si dhe pagat.

Sipas një komunikate të AKP-së, Bordi diskutoi edhe për lirimin e aseteve dhe u vlerësua progresi i arritur, duke falënderuar veçanërisht Policinë e Kosovës për përkrahje.

“Sa u përket aseteve në veri te vendit u raportua për progresin e konsiderueshëm të arritur. Deri më tani nëntë shfrytëzues të aseteve kanë hyrë në marrëveshje të qirasë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e shfrytëzuesve të tjerë kanë shprehur gatishmërinë për të negociuar marrëveshjen”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, një prej pikave më të ndjeshme dhe komplekse që është diskutuar në këtë mbledhje është edhe çështja e kërkesës së punëtorëve të NSH IMK Fabrika e Tubave, në Ferizaj.

Bordi i drejtorëve pas shumë diskutimeve dhe pas shqyrtimit të të gjitha çështjeve relevante u dakordua që: Organi kompetent për shqyrtimin dhe aprovimin e pagesës së kreditorëve sipas ligjit të AKP-së është Autoriteti i Likuidimit të Ndërmarrjes Shoqërore (NSH) Fabrika e Tubave, i cili me prioritet të lartë, siç kërkohet edhe me vendimet ligjore përkatëse, ka vendosur të zbatojë vendimet gjyqësore konform ligjit në fuqi dhe brenda fondit në dispozicion të NSH Fabrika e Tubave në likuidim. Duke iu referuar vendimit nr. 102/2014 të datës 30 Prill 2014 të Qeverisë së Republikës të Kosovës, ky vendim nuk e liron Agjencinë nga përgjegjësia ligjore që sipas nenit 19.3.3 të ligjit të AKP-së të transferojë “fondet tepricë” Qeverisë së Kosovës, të cilat fonde tepricë trajtohen sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.

Se afatet e përcaktuara për pagesa në vendimin nr. 04-V-799 i datës 19 mars 2014 i Kuvendit të Kosovës, për Autoritetin e Likuidimit nuk mund të realizohen për shkak të procedurave gjyqësore të shqyrtimit të ankesave në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

“Agjencia do të kërkojë nga Dhoma e Posaçme që të trajtojë me prioritet ankesat e parashtruara në procedurën e likuidimit të Fabrikës së Tubave”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, Bordi i Drejtorëve unanimisht aprovoi 14 raporte të përkohshme të shpërndarjes të ndërmarrjeve shoqërore, ndërsa vlera e mjeteve që do të shpërndahen tek kreditorët është 1,613,553.20 €.

Veç kësaj, Bordi i Drejtorëve gjithashtu miratoi raportin e Komisionit për shitjen e 31 banesave të Ndërmarrjeve Shoqërore.

Bordi po ashtu vendosi për fillimin e auditimit të ndërmarrjeve të privatizuara me kushte: Fabrika e Amortizatorëve, FBI Trepça dhe Spitali Special për rehabilitim – Banja e Pejës.