250 euro gjobë sepse nuk e respektoi lejen për armë

Në Gjykatën e Gjilanit në përbërje të gjyqtarit Agim Ademi, u mbajt seanca fillestare ndaj të akuzuarit Halil Mehuka, për armëmbajtje të paautorizuar.

Prokuroria e Gjilanit e akuzon Halil Mehukën, se në datën 06.03.2019 në kundërshtim me ligjin për armët, e ka bartur armën, konkretisht revolen me 15 fishekë, për të cilën i akuzuari kishte leje speciale për shenjëtari dhe ka pasur leje për ta bartur deri në poligonin për shenjëtari në Komunën e Novobërdës, mirëpo i akuzuari armën e ka bartur me vete deri në afërsi të fshatit Kitkë të Komunës së Kamenicës. Kështu i akuzuari e ka bartur armën në kundërshtim me ligjin për armët duke kryer veprën penale armëmbajtje e paautorizuar.

Në seancë fillestare i akuzuari u deklarua se e pranon fajësinë, duke deklaruar se armën e kishte harruar në veturë dhe se i vjen keq që e kishte me vete armën.

Gjyqtari Agim Ademi e aprovoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari.

Prokurori Shaban Spahiu deklaroi se duke qenë që i akuzuari që në fillim e ka pranuar fajësinë, ka qenë korrekt dhe nuk ka të kaluar kriminale, gjykata duhet ta ketë parasysh në zbutjen e dënimit.

Gjykata për këtë çështje duke u bazuar në pranimin e fajësisë, sjelljen korrekte të të akuzuarit, dhe faktin që i akuzuari nuk ka të kaluar kriminale, me aktgjykim dënues, e dënoi të akuzuarin me gjobë 250 euro dhe me masën e konfiskimit të armës.

Gjithashtu, gjykata njoftoi palët për të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi të gjykatës.