25 vjet burg për babanë që akuzohet se e mbyti me dru djalin e tij 14-vjeçar

Gjykata e Gjilanit e ka dënuar me 25 vjet burgim Gani Bërnjashi, i akuzuar se më 23 maj të vitit të kaluar e mbyti me të rrahura djalin e tij 14-vjeçar L.B.

“I akuzuari me datë 23.05.2018 në fshatin Karaçevë e Poshtme, Komuna e Kamenicës, me dashje eventuale ka privuar nga jeta në mënyrë mizore, djalin e tij, tani të ndjerin L. B. të moshës 14 vjeçare”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

I gjithë rasti kishte ndodhur kur Gani Bërnjashi kishte vërejtur se i kishin munguar një shumë parash (1 mijë e 500 euro), dhe për mungesën e tyre kishte kërkuar sqarime nga djali i tij 14 vjeçar.

Meqë nuk kishte marrë përgjigje nga djali për paratë, Gani Bërnjashi kishte filluar ta godiste me shufër metalike e më pas edhe me një shkop druri në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar me këtë rast plagë vdekjeprurëse.

Gjykata ka konstatuar se me këto veprime i akuzuari ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.

KALLXO.com kishte raportuar në lidhje me procesin gjyqësor të këtij rasti.

https://kallxo.com/prokurori-jep-detaje-per-vdekjen-e-femijes-ne-kamenice-si-pasoje-e-dhunes-nga-babai/

https://kallxo.com/sot-del-para-gjykates-burri-qe-dyshohet-se-mbyti-djalin-e-tij-ne-kamenice/

http://kallxo.com/femija-vdes-si-pasoje-e-dhunes-fizike-arrestohet-babai/