25 vjeçari arrestohet pasi përfitoi 7 mijë euro nga premtimet për rregullim të dokumentacioneve

Një 25 vjeçari me inicialet R. I është arrestuar mbrëmë nga hetuesit e stacionit policor Qendra në Prishtinë.

Policia ka treguar se 25 vjeçari është arrestuar nën dyshimin për mashtrimin e disa personave nga të cilët ka marrë një shumë parasheh prej 7 mijë eurove.

Policia ka sqaruar se i dyshuari i ka mashtruar disa persona se do të u rregullonte dokumentacionin për të punuar jashtë vendit.

“Mbështetur në rezultate e para të hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se mashtrimi mund të ketë ndodhur në vazhdimësi për një periudhë të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga i dyshuari mund të jetë më i madh se sa numri i raportuar deri tani”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas tyre, deri tani në polici si viktima të këtij mashtrimi janë paraqitur tre persona.

Policia ka kërkuar që qytetarët që të cilët bien pre e këtyre mashtrimeve të lajmërohen në stacionin më të afërt policor në mënyrë që mashtruesit të bien në dorën e autoriteteve të sigurisë.

“Pas arrestimit dhe marrjes së autorizimit nga ana e prokurorit, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes në Prishtinë, ku aktualisht hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale, para se rasti të kaloj në institucionet kompetente”, thuhet në fund të njoftimit.