Gjykata e Apelit - Foto: KALLXO.com

Më 24 Tetor Rasti ‘Badovci’ Shqyrtohet në Apel

Aktgjykimi i korrikut të këtij viti i Gjykatës Themelore të Prishtinës dënoi për shtytje në kryerjen e veprave terroriste Besnik dhe Enis Latifin, Milam Haxhiajn dhe Gazmend Halitin, ndërsa Fehmi Musa u shpall fajtor për ndihmë në shtytje të kryerjes së këtyre veprave.

Lajmin për caktimin e seancës në Gjykatën e Apelit për KALLXO.com e konfirmoi avokatja e Besnik Latifit, Albana Kelmendi.

Haxhiaj, Haliti dhe Enis Latifi në korrik u dënuan me nga 3 vjet e gjysmë burg, ndërsa Besnik Latifi u dënua me 4 vjet e 6 muaj burg. Fehmi Musës iu shqiptua dënimi prej 3 vjetësh burg.

Tre të dënuarit deri në shpalljen e dënimit ndaj tyre akuzoheshin për përgatitje të veprave terroriste, një vepër që u rikualifikua në shtytje për kryerjen e këtyre veprave.

KALLXO.com muajin e kaluar raportoi për ankesën e prokurores speciale, Drita Hajdari ndaj vendimit të Gjykatës Themelore.

Prokurorja Hajdari në ankesën e saj drejtuar Gjykatës së Apelit pretendon se rikualifikimi i veprës penale nga përgatitja e veprave terroriste në shtytje në kryerjen e veprave terroriste ishte i paqëndrueshëm.

Këto dënime të shqiptuara nga Gjykata Themelore e Prishtinës ishin më të lehta krahasuar me dënimet që ishin shqiptuar në korrik të vitit 2016 kur Besnik Latifi ishte dënuar me 13 vjet burg, Gazmend Haliti me 12, Milazim Haxhiaj me 10 vjet e 3 muaj, Fehmi Musa me 4 vjet dhe Enis Latifi me 10 vjet burg.

Lehtësimi dënimeve ndodhi pasi që Gjykata Supreme e Kosovës ktheu në rigjykim rastin “Badovci” duke gjetur se nuk është plotësuar figura e veprës penale përgatitja e veprave terroriste.

Sipas aktakuzës, Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Fehmi Musa dhe Enis Latifi, në korrik të vitit 2015  kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Grupi, sipas prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës.