Ministria e Drejtësisë Kërkon të Hiqet Dënimi me Burg për Kundërvajtje

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Kuvendit në dëgjim publik prezantoi propozimet për amandamentimin e Projektligjit për Kundërvajtje.

Ministria e Drejtësisë kishte propozuar që nga Projektligji i ri për Kundërvajtje të hiqet dënimi me burg, përderisa anëtarët e Komisionit për Legjislacion kërkonin detaje se cilat janë alternativat e tjera që mund ta zëvendësonin këtë dënim.

Zëvendëskryesuesja e parë Selvije Halimi potencoi se nga Ministria e Drejtësisë duhet të kërkohen detaje mbi sanksionimet e kundërvajtjeve në një tjetër mënyrë pas heqjes së dënimit me burg

“Ministria e Drejtësisë duhet të arrijë të na japë një koment më detaj nga përmbajtja e Projektligjit për Kundërvajtje ku kërkohet heqja e dënimit me burg, të na tregojë se a i kemi kapacitetet e duhura ne si vend që kundërvajtjet të kalojnë përmes sanksioneve tjera e jo përmes dënimit me burg”, tha ajo.

Albert Avdiu nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës potencoi se gjyqësori duhet të shkarkohet nga lëndët kundërvajtëse për shkak numrit të madh të lëndëve që vijnë nga mospagesa e gjobave në trafik.

“Një propozim i tillë ka ardhur prej nesh, prej Këshillit Gjyqësor të Kosovës, sepse e kemi vërejtur se një sanksionim i tillë si rezultat i kundërvajtjes bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Qëllimi përfundimtar është që gjyqësori të shkarkohet nga lëndët kundërvajtëse”, theksoi Avdiu, i cili informoi se deri në fund të vitit 2015 kanë qenë 515 mijë lëndë kundërvajtëse dhe se 80% e lëndëve vijnë nga mospagesa e gjobave për kundërvajtje në komunikacion.

Ndërsa, Haxhi Krasniqi nga Policia e Kosovës kërkoi që të gjendet një zgjidhje që të mos ketë kaq shumë parashkrime të lëndëve kundërvajtëse.

“Një gjë që më duhet ta përcjell është parashkrimi i kundërvajtjeve. Ne do të vijmë edhe me komente konkrete gjatë punës me grupin punues që të mos ketë kaq shumë parashkrim të lëndëve kundërvajtëse”, tha ai.

Në takimi i radhës priten propozime konkrete e të detajuara për Projektligjin për Kundërvajtje.