Fjala Përfundimtare për Vrasje në Tentativë në Kamenicë

Në Gjykatën Themelore në Gjilan është zhvilluar seancë në të cilën fjalën përfundimtare e kanë dhënë prokurori dhe avokatët e të pandehurve Ramadan dhe Feti Kastrati, të cilët akuzohen për veprat penale të vrasjes në tentativë dhe për armëmbajtje pa leje.

Incidenti i armatosur për të cilin po gjykohen dy të pandehurit ka ndodhur në fshatin Kranidell të Kamenicës, më 25 maj 2014.

Prokurori i rastit, Afrim Shefkiu, tha se mbetet pranë aktit akuzues dhe e ftoi gjykatën që të japë dënim meritor për dy të pandehurit, pasi që siç tha ai, sipas dëshmive dhe provave është dëshmuar se ata janë fajtorë.

Edhe i dëmtuari Hysen Lakna kërkoi që të akuzuarit të dënohen dhe kërkoi nga gjykata edhe kompensim material për shkak se kanë pasur trauma gjatë kësaj kohe.

Vetë të akuzuarit, Ramadan Kastrati dhe Feti Kastrati, në fjalën përfundimtare u deklaruan të pafajshëm.

Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, KALLXO.com ka intervistuar avokatin Abdylaziz Sadiku lidhur me ecurinë e procesit dhe rreth asaj se çfarë pret nga aktgjykimi.

“Ky proces gjyqësor ka fillu kaherë dhe sot është përfundu. Unë konsideroj se gjitha provat të cilat janë administru gjatë gjitha seancave gjyqësore nuk kanë mundur ta vërtetojnë identitetin objektiv dhe subjektiv të akuzës publike se këta dy të pandehur janë kryes të veprës penale”, thotë mbrojtësi i Ramadan Kastratit.

Sipas avokatit, ekspertiza e bërë nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë vërteton se gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes i përkasin një arme automatike, gjë që përjashton mundësinë që të pandehurit të jenë kryes të kësaj vepre.

“Provat, pra në fund, e posaçërisht ekspertiza e balistikës dhe ajo e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë vërtetuan se të pandehurit Feti dhe Ramadan Kastrati nuk kanë patur armë të zjarrta  e as që kanë shkrepë me armën e tyre në drejtim të të pandehurve. Gëzhojat të cilat janë gjetë në vendin e ngjarjes në një largësi tjetër, aty ku ka qenë Ramadani dhe Fetihi, i përkasin një arme automatike, prandej ekspertiza ka vërtetu se ato janë të armës automatike”, tha avokati Sadiku.

Sipas tij, ka pasur kontradikta në deklarimet e të dëmtuarve, “pasi që njëri ka dëgju krismën 200 metra larg, ndërsa tjetri afër 1000 metra larg”.

“Prandaj, konsideroj se janë prezente të gjitha parakushtet ligjore që kjo gjykatë të marrë vendimin e vet me të cilin do të lirohen dy të pandehurit”, tha avokati Abdylaziz Sadiku.

Sipas aktakuzës së ngritur më 19.6.2014, Ramadan e Feti Kastrati, më 25 maj të vitit 2014, për shkak të disa mosmarrëveshjeve të mëhershme, me veprim të drejtpërdrejt kanë tentuar ta privojnë nga jeta Hysen, Përparim dhe Mirjeta Laknën, të cilët ishin duke udhëtuar me veturën e tyre “Golf II” dhe të pandehurit nga 4-5 metra largësi shtijnë me revole 4 herë në drejtim të veturës duke ua rrezikuar jetën tre të dëmtuarve.

Sipas Prokurorisë, dy të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve”.