Bashkësia Islame: Xhamitë Janë Vend i Lutjeve

Bashkësia Islame thotë se aktet e tilla kanë për qëllim futjen e frikës.

“Gjetja e eksplozivit në ambientet e xhamisë së Drenasit, ditën e premte në kohën e namazit të xhumasë, kur prania e besimtarëve është më e madhe se çdo ditë  tjetër, paraqet një akt të papranueshëm dhe me elemente që çojnë në akte terroriste e që për qëllim kanë futjen e frikës, ushtrimin e dhunës, terrorit e shkatërrimit,” thuhet në deklaratën e BIK-ut.

Veprimet e tilla BIK-u i konsideron në kundërshtim me parimet islame, ndërsa kërkon siguri për ata që kryejnë ritet fetare.

“Aktet të tilla nuk kanë të bëjnë asgjë me mësimet dhe predikimet e fesë islame dhe as me traditën e popullit tonë, ndaj kërkojmë nga të gjithë që të jenë të përgjegjshëm dhe më të vëmendshëm për të  garantuar jetën e qytetarëve të vendit, pronës së tyre dhe për të  ruajtur e garantuar veprimin dhe funksionimin e institucioneve publike e fetare,” vijon deklarata.

Bashkësia Islame ua shpjegon të gjithëve se për çfarë shërbejnë xhamitë.

“Xhamitë janë vend për adhurim, falje e lutje ku besimtarët gjejnë prehje shpirtërore dhe si të tilla duhet trajtuar në mënyrë meritore, e jo për dhunë terror e frikë,” shpjegon deklarata.

Kundër vendosjes së mjetit shpërthyes reagoi sot edhe Partia e Drejtësisë, duke e quajtur këtë veprim akt qyqar, ndërsa dje reagoi edhe Komuna e Drenasit.

Të premten KALLXO.com shkroi për gjetjen e këtij mjeti shpërthyes, ndërsa imami i xhamisë së Drenasit Osman Musliu tha se Drenasin dje e ka ruajtur Zoti.

http://kallxo.com/mjet-shperthyes-ne-xhamine-e-drenasit/