Këshilli Prokurorial i Kosovës | Foto: KALLXO.com

Prokurori-Prani dhe Fjalë në Tubimin Fetar

Zyra për Informim e Këshillit Prokurorial të Kosovës bën të ditur se prokurori Morina ka marrë pjesë në një tubim vitin e kaluar që ishte i organizuar nga një i dyshuar për terrorizëm.

“Posa ka ardhur informata në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit Aleksander Lumezi më datë 07 janar 2016 se prokurori Basri Morina ka marrë pjesë në një tubim me karakter religjioz më datë 14 nëntor 2015, i organizuar nga një person i cili dyshohet për vepër penale që ndërlidhet me terrorizëm, menjëherë është dërguar e njëjta informatë në Zyrën e Prokurorit Disiplinor për të filluar hetimet,” thuhet në komunikatë.

Komunikata njofton se Basri Morina është suspenduar për 6 muaj.

“Pas zhvillimit të hetimeve Zyra e Prokurorit Disiplinor ka paraqitur raportin më datë 27 janar 2016 me rekomandim për suspendimin pa pagesë të prokurorit të shtetit Basri Morina në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muajsh duke filluar nga data 28 janar 2016 deri në përfundimin e procedurës disiplinore,” sqaron komunikata.

Kjo komunikatë e Zyrës për Informim të KPK-së tregon edhe shkeljet që dyshohet bëri prokurori i suspenduar.

“Komisioni Disiplinor pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe provave të bashkëngjitura, duke i vlerësuar ato veç e veç, ka gjetur se prokurori Basri Morina ka shkelur Kodin e Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokurorë neni 2, Parimet e përgjithshme, pika 1, 2 dhe 3 nën pika a, b dhe c,” vijon komunikata.

Ky nen merret me format specifike të sjelljes së pahijshme, ndërsa shpjegon edhe se një prokuror duhet të ketë paanshmëri, sjellje të standardeve të larta profesionale e personale, integritet e dinjitet.

Sipas komunikatës prokurori Morina jo vetëm që ka marrë pjesë në tubimin religjioz, por edhe ka mbajtur fjalim aty.

“Po ashtu, përkundër faktit se mban pozitën e prokurorit të shtetit dhe nuk i lejohet pjesëmarrja në tubime të tilla, prokurori Morina ka mbajtur fjalim me përmbajtje religjioze, veprime këto që janë në kundërshtim me detyrimet e prokurorit për zbatimin e standardeve të larta të sjelljes profesionale,” thuhet në komunikatë.

Komunikata jep si arsye të suspendimit edhe brengën se vazhdimi i kryerjes së detyrave të përditshme të këtij prokurori pas veprimeve për të cilat dyshohet do të dëmtonte imazhin dhe zbehte besimin e qytetarëve në sistemin prokurorial.