‘Kodra e Ndaluar’ për Investitorët nga Gjermania

Me disa ekspertë gjermanë në veriun e vendit, Naser Lahu ka arritur të zbulojë rezerva të  fshehura të gurit vullkanik, material i shtrenjtë i cili në formë zhavorri përdoret për të shtruar shtresën e fundit të asfaltit.

Investitori nga Gjermani ka rrëfyer në emisionin e kaluar të “Drejtësia në Kosovë” për pengesat kërcënimet dhe shantazhet të cilat i janë bërë atij dhe investitorëve gjermanë në tentativën për t’i detyruar të heqin dorë nga investimet dhe licencat për të eksploatuar gurin vullkanik.

“Që nga viti 2005 jemi pajisur më licencë por asnjëherë nuk kemi punuar sepse aty ilegalisht është vendosur uzurpatori  Nimon Begu”, rrëfen Lahu.

Toka në të cilën ndodhet i deponuar  guri vullkanik është pronë shoqërore e Agjencionin Pyjore të Kosovës.

Në vitin 2005 Lahu dhe kompania e tij kishte nënshkruar një kontratë për ta marrë në shfrytëzim këtë pronë.

Por edhe përkundër kontratës, prona shoqërore u uzurpua ndërsa investimi gjerman nga ajo kohë mbeti i parealizuar.

“Personi i cili ndodhet në atë pjesë na e ka ba të qartë se pa u derdhë gjak ne në atë vend nuk mund të vendosemi” rrëfen Lahu

Në pronën shoqërore në të cilën do kryhej investimi gjerman, Nimon Begu ka vendosur makinat e thyerjes së gurit dhe në vazhdimësi i ka penguar investitorët të kryejnë investimin.

Pronari i kompanisë “Mani Com“, Nimon Begu, e  pranon edhe publikisht se ua ka bërë të qartë të gjithëve, përfshirë investitorëve gjermanë, se pronën nuk mund ta shfrytëzojë askush përpos tij.

“Lahu e as dikush tjetër për pa u faru deri n’pulë nuk ka me mujt me marrë, dhe këtë atij Lahut ia kam thënë edhe n’sy të policisë”, rrëfen Begu.

Ai pretendon se prona është e të parëve të tij megjithatë për këtë nuk ka asnjë dokumentacion valid.

I sfiduar për dhjetë vjet me radhë nga kompania Mani, Naser Lahu ka tentuar disa herë që duke përdorur mjetet ligjore ta largojë nga prona Begun, megjithatë tentativat e tij ligjore ende nuk kanë pasur sukses.

“Lënda ka nisë me u gjyku në Vushtrri por me ankesa është dërguar në gjykatën e Apelit”, rrëfen Lahu.

Ai sqaron se institucionet të cilat i dhanë licenca e me të cilat ka kontratë për shfrytëzimin e pronës, nuk kanë bërë asnjë veprim për t’ia liruar pronën.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, organ që merret me licencimin dhe kontrollimin e eksploatuesve të zhavorrit, i konfirmoi emisionit “Drejtësia në Kosovë” se kompania “Lahu” është e licencuar.

Megjithatë, KPMM nuk ka dhënë shpjegime për arsyet pse nuk ka ndërmarrë veprime për ta larguar kompaninë ‘Mani” për ta lejuar kompaninë e licencuar ta vazhdojë punën.

Kjo kompani pas bllokadës 10 vjeçare që i ka bërë kompanisë “Lahu” ka arritur që të pajiset me një të drejtë shfrytëzimi për pronën e Agjencisë së Pyjeve.

E investitorët gjermanë të drejtuar nga Naser Lahu e deklarojnë vetën të pashpresë.

“Krejt çka kemi me ba është me e paditë Republikën e Kosovës në Gjykatë për shkak se nuk ka na mundësu me punu edhe pse na ka pajisë me licenca”, tregon Lahu.

Ai shprehet i dëshpëruar me ambientin të cilin po e gjejnë investitorët e huaj në Kosovë.

Në disa raste emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka raportuar për shqetësime serioze të investitorëve nga diaspora të cilëve u janë uzurpuar prona apo janë përballur me kërcënime serioze.

Hulumtimi për një biznes të penguar, investim nga Finlanda

“Gabimi” i Kushtueshëm i Investitorit nga Finlanda

Hulumtimi për një pronë të pushtuar paligjshëm në qendër të Prishtinës

Bab Club – Në Pronën e Pushtuar Paligjshëm