Prokuroria Sfidon Dëshminë e Dodikut për Mlladiqin

Teksa merrej në pyetje nga Gjykata e Hagës të mërkurën, Dodik u pyet nëse Ushtria Serbe e Bosnjës pas luftës ndoqi qëllimet strategjike të luftës të deklaruara nga Parlamenti i Republikës Serbe në vitin 1992, i pari i të cilave ishte ndarja e serbëve nga kroatët dhe boshnjakët.

“Ushtria e Republikës Serbe, në kuadër të ligjit, zbatoi vendimet e qeverisë dhe parlamentit,” u pajtua Dodik.

Por ai këmbënguli se “objektivi kryesor ishte mbrojtja e popullsisë nga myslimanët dhe më vonë nga agresioni myslimano-kroat”.

Komandanti ushtarak serb i Bosnjës Mlladiq është në gjyq për persekutim të popullsisë boshnjake dhe kroate në të gjithë vendin, gjë e cila dyshohet se arriti në shkallë gjenocidi në gjashtë komuna.

Gjatë luftës, Dodik ishte një anëtar i pavarur i parlamentit të Republikës Serbe.

I pyetur nëse ai kishte dëgjuar ndonjëherë në seancat parlamentare “ndonjë të dhënë” se po përkrahej persekutimi i joserbëve, Dodik u përgjigj: “Nuk e kam dëgjuar kurrë një histori të tillë për spastrim etnik dhe persekutim.”

Kur prokurori risolli në kujtesë se një deputet i Republikës Serbe në maj të vitit 1992 tha se ishte i nevojshëm pushtimi në vende ku serbët ishin pakicë, siç ishte qyteti i Brçkos, Dodik tha se ai nuk e mbante mend këtë gjë.

Ai tha se Brçko ishte “një pikë e rëndësishme komunikimi dhe objektiv legjitim ushtarak, por jo nga këndvështrimi i spastrimit etnik”.

Kur iu tregua një deklaratë nga një deputet i Republikës Serbe nga vjeshta e 1992, duke folur rreth “myslimanëve dhe kroatëve që ne dëbuam”, Dodik u përgjigj: “Unë nuk mbaj mend se kush ishte ky zotëri, e jo më se çfarë ka thënë ai”.

Dodik u përgjigj në një mënyrë të ngjashme kur prokurori Tieger citoi një tjetër deputet të Republikës Serbe të kishte thënë se “ne duam një shtet të pastër etnikisht” dhe se “duhet të kishte një lëvizje dhe rivendosje” të popullatës joserbe.

“Nuk e di se kush është ky burrë, mendoj se ai nuk është një deputet dhe nuk e di nëse unë isha në atë takim asambleje,” tha Dodik.

Duke përdorur deklaratat parlamentare nga presidenti i Republikës Serbe Radovan Karaxhiq, prokurori Tieger u përpoq të provonte se liderët serbë të Bosnjës kishin një plan të paramenduar për të krijuar shtetin e tyre.

Dodik megjithatë këmbënguli se të gjithë veprimet e serbëve të Bosnjës qenë për të ruajtur Jugosllavinë në reagim të ndarjes së boshnjakëve dhe kroatëve nga shteti federal.

“E keni gabim kur thoni se kishte një plan të menduar… Unë nuk di gjë për këtë plan, nuk e kam parë kurrë më parë,” i tha ai Dodik.

Mlladiq është gjithashtu në gjyq për gjenocid në Srebrenicë, terrorizim të civilëve në Sarajevë me një fushatë të gjatë predhash dhe snajperësh dhe pengmarrje të paqeruajtësve të OKB.

Gjyqi vazhdon të mërkurën.