Ilustrim

22 persona në pranga për marrje me prostitucion

22 persona janë arrestuar nga Policia nën dyshimin për përfshirje në mundësim ose detyrim në prostitucion, marrje me prostitucion dhe ofrim i lokalit për prostitucion.

Policia ka dhënë detaje për aksionin i cili vuri në pranga 22 të dyshuar.

“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ), Njësitë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (NJHTQNJ), në rajonet respektive, në Gjakovë dhe në Prishtinë, në kuadër të veprimeve operativo-hetimore, me qëllim të parandalimit të krimit dhe luftimit të të gjitha aktivitete kriminale, këto tri ditë kanë realizuar operacione policore, nën dyshimin e bazuar për veprimtari të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas njoftimit, dy ditë më parë në rajonin e Prishtinës, nga Sektori Qendror i Hetimeve të Trafikimit me Njerëz (DHTQNJ), janë identifikuar dhe janë arrestuar  katër burra të dyshuar dhe tetë gra të dyshuara për vepra të kundërligjshme.

Në rajonin e Gjakovës gjatë ditës së djeshme janë arrestuar gjashtë persona inicialet e të cilëve janë K.R., V.Ç., N.B., M.B., M.P., B.I., ku sipas Policisë, K.R. dhe V.Ç. janë ndaluar me urdhër të prokurorit për 48 orë nën dyshimin për “mundësim ose detyrim në prostitucion” ndërsa katër të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt për veprën kundërvajtëse ”marrje me prostitucion“.

Ndërsa gjatë ditës së sotme në rajonin e Prishtinës gjatë një plani taktik janë arrestuar katër persona të dyshuar, L.K., Sh.K.,  B.L., dhe A.F.

Dy të dyshuarat L.K.  dhe Sh.K. janë arrestuar nën dyshimin për vepër penale  “mundësim ose detyrim në prostitucion” dhe “ofrim i lokalit për prostitucion” kurse të dyshuarat B.L. dhe A.F. për veprën kundërvajtëse “marrje me prostitucion“.

Me vendim të prokurorit kompetent e dyshuara me inicialet L.K. është ndaluar për 48 orë, ndërsa tri të dyshuarat tjera janë liruar në procedurë të rregullt.