Pamje pas një aksidenti trafiku - Foto: Rtv21
2017-ta Vit i Rritjes së Aksidenteve me Fatalitet
Shpend Maxhuni, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës gjatë raportimit para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së tha se në 2017-ën u shtuan aksidentet me fatalitet në krahasim me vitin e kaluar.
“Aksidentet me pasoja fatale, fatkeqësisht kanë pësuar ngritje për 24 për qind, e që ka qenë një nga brengat tona më të mëdha. Edhe aksidentet me lëndime kanë pasur rritje 5 për qind”, tha Maxhuni.
Ai më tutje deklaroi se pavarësisht rritjes së aksidenteve ku kishte të vdekur e të lënduar, numri i aksidenteve në përgjithësi vjet shënoi rënie për 4,09 për qind.
Drejtori i policisë deklaroi se është shtuar numri i tiketave për shkelje të rregullave të trafikut.
“Kemi arritur që të kemi një numër të rënieve të veprave si lëndime trupore si dhe numri i vjedhjeve ka shënuar rënie në krahasim me vitin e kaluar”, tha Maxhuni.