20 Vjet Burg për ish-Luftëtarin Kroat

Ish-luftëtari i Këshillit Kroat të Mbrojtjes Nikola Mariç u dënua për krime kundër njerëzimit, për vrasje, persekutim dhe torturim të boshnjakëve në zonën e Prozorit në vitet 1992 dhe 1993.

Gjykata Shtetërore e Bosnjës të premten e shpalli Mariçin fajtor për të 25 pikat e aktakuzës, duke e dënuar atë për vrasje, zhvendosje me forcë, arrestime, burgosje të paligjshme, torturim dhe akte të tjera çnjerëzore kundër boshnjakëve nga nëntori 1992 deri në tetor 1993.

“Nuk ka asnjë dyshim që Nikola Mariç ishte në dijeni të një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj popullsisë civile boshnjake dhe se ai donte që veprimet e tij të ishin pjesë e këtij sulmi,” tha kryetarja e trupit gjykues Mediha Pasiç.

Mariç u shpall fajtor për kryerjen e shtatë vrasjeve në një shkollë të mesme në Prozor dhe në fshatrat aty pranë të Tolovacit dhe Prajmit, si edhe urdhërimin për vrasjen e një të moshuari me probleme mendore.

Ai u shpall gjithashtu fajtor si përgjegjës për zhdukjen e gjashtë njerëzve nga shkolla e mesme në Prozor, trupat e të cilëve ende nuk janë gjetur.

Përveç vrasjeve dhe zhdukjeve me dhunë, gjykata arriti në përfundimin se Mariç mori pjesë në torturimin e disa boshnjakëve duke përfshirë edhe një njeri të quajtur Hamdo Bevab dhe djalin e tij.

“Ai ia shkuli thonjtë Hamdos duke përdorur një palë pinca të veçanta. Pastaj luajti ruletë ruse me Hamdon dhe djalin e tij,” thuhej në vendim.

Mariç u shpall gjithashtu fajtor për arrestime të paligjshme në fshatrat Duge, Varvare, Gornji dhe Donji Visani, Skrobucani, Gorica dhe Lug, si edhe burgosje të burrave në kampet në Prozor.

Ai u dënua për rrahjen e të burgosurve që mbaheshin në kampet e ndalimit dhe në vendet ku ata dërgoheshin për të bërë punë të detyruar.

Sipas vendimit, Mariç mori pjesë në persekutimin e disa qindra boshnjakëve nga komuna e Prozorit.

“Kur vendosi për dënimin, gjykata mori në konsideratë modelin specifik të sjelljes së të pandehurit, mizorinë e tij të pazakontë, brutalitetin dhe këmbënguljen e tij në kryerjen e krimeve si rrethana rënduese,” tha Pasiç.

Ajo tha se gjykata mori në konsideratë si rrethanë lehtësuese faktin që Mariç ka një familje.

Vendimi mund të apelohet.