Ministri Mahir Yagcilar

Më 20 Mars Publikohet Raporti për Reformat e Administratës Publike

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar ka raportuar para Komisionit për Integrime Europiane sa u përket  reformave në administratën publike që është edhe njëri ndër kushtet drejt integrimit europian.

Gjatë vitit të kaluar MAP-i është dashur t’i përfundojë disa reforma, por kjo nuk ka ndodhur. Një ndër to ishte edhe kategorizimi i pagave të zyrtarëve të lartë.

Ministri Yagcilar gjatë raportimit të tij para komisionit tha se e kemi obligim ta zbatojmë planin e veprimit për modernizimin e administratës publike.

“Sigma është duke e monitoruar zbatimin e kësaj strategjie. Me 20 mars do të publikohet raporti sa i përket gjendjes”, theksoi Jagxhillar.

MAP me ministri të tjera kanë hartuar strategji, njëra ndër to edhe strategjia e modernizimit dhe sipas ministrit Yagcilar korniza strategjike është e mirë, por problemi është te zbatimi i saj.

“MAP ka propozuar koncept- dokumentin për procedim në kuvend. Kërkesë e Komisionit Europian ka qenë që tri ligjet, Ligji për Paga, Ligji për Administratën Publike dhe Ligji për Shërbyesit Civilë të shkojnë në pako. Sipas planit të punës kemi bërë një plan të rishikimit. Tani do të kalojmë edhe në fazën e zbatimit, brenda tri viteve nëpër disa hapa”, është shprehur Yagcilar.

Anëtari i Komisionit për Integrime Europiane, Ilir Deda shprehu shqetësimin për ligjin për paga, pasi sipas tij aktualisht ka shpërputhje të nivelit qendror dhe atij lokal.

“Ligji për Paga ka me qenë ma i komplikuar sesa që është paraqitur në opinion publik, ky ligj është i rëndësishëm se kemi shpërputhje të nivelit qendror me atë lokal. Kisha sugjeruar që të ketë më shume qasje të komisioneve në këtë ligj”, tha Deda.

Kurse ministri, Mahir Yagcilar theksoi se Ligji për Paga është bërë për të gjithë që janë përfitues prej buxhetit të Kosovës, rreth 80 mijë vetë.

“Shërbyesit civilë janë përafërsisht 18 mijë njerëz, por këtu hyn edhe pozita e presidentit dhe pozita të tjera. Katalogu i vendeve të punës është, por për pagat e nëpunësve civilë sa i përket aspektit financiar nuk është zbatuar kurrë. Do të analizohen fushat veç e veç dhe do të krijohen disa tabela”, tha ai.

Armend Zemaj, anëtari i komisionit nga LDK-ja si shumë shqetësuese e përmendi stërzgjatjen e reformave në administratën publike.

“Me këtë dinamikë as në qershor nuk do të ketë miratim të ligjeve. Element qenësor është edhe dualizmi i institucioneve, raporti juaj me Ministrinë e Financave, kemi pa shpeshherë pozita të lejuara e mbështetja buxhetore ka munguar. Nëse nuk arrijmë së paku në qershor t’i sjellim në lexim të parë, Kosova do të mbetet përsëri prapa”, potencoi Zemaj.

Ministri Mahir Yagcilar iu përgjigj Zemajt dukei thënë se moszbatimi i Ligjit për Pagat e Nëpunësve Civilë ka shkaktuar shumë probleme dhe sipas tij kjo ka shtyrë krijimin e një ligji të unifikuar.

Gjatë raportimit, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar shpjegoi se me aprovimin e këtij ligji do të ketë një platformë për menaxhimin e pagave, pasi tani Ministria e Admnistratës Publike ka të dhëna  të ndryshme nga Ministria e Finncave.

“Ne duhet t’u kërkojmë atyre të dhëna, pasi atje është Divizioni për Paga”, tha ministri.

Po ashtu ai theksoi se nëse vazhdohet me zbatimin e direktivave të strategjisë së modernizimit të administratës publike, Kosova do të përfitojë 24 milionë euro nga Komisioni Europian.

Kurse sa i përket renditjes së pozitave të pagave ai tha se do të bazohen te përvojat e shteteve të ndryshme si Shqipëria, Sllovenia, por edhe te përvoja e Kosovës.

“Renditja do të bëhet sipas praktikave, sipas ligjeve, sepse tani pozita e parë nuk është e Presidentit, por e Agjencionit të Privatizimit”, përfundoi ministri Yagcilar.

Nevoja për ligjin rreth pagave u pa sidomos gjatë diskutimeve në Kuvend për vendimin e Kryeministrit Haradinaj në lidhje me rritjen e rrogave.

Seanca e ‘Idhnimit’ për Pagat e Qeveritarëve