Bajram Hasani dhe Sokol Haliti duke nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e Zonës Industriale, Foto: Favebook

2 Milionë Euro për Ndërtimin e Zonës Ekonomike në Budrigë të Vitisë

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për Zonën Ekonomike, konkretisht Parkun Industrial që pritet të ndërtohet në fshatin Budrigë të Vitisë.

Ministri Hasani ka bërë me dije se financimi i këtij projekti do të bëhet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në vlerë prej rreth 2 milionë euro.

“Sot së bashku me kryetarin e kësaj komune, kemi nënshkruar marrëveshjen për financimin e projektit të Zonës Ekonomike nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, dhe kemi marrë përsipër që financimi i kësaj zone të bëhet i gjithi nga MTI-ja, duke kursyer komunën për shkak të buxhetit të vogël”, u shpreh Hasani.

Ai shtoi se ata kanë nënshkruar një marrëveshje kornizë dhe së shpejti do të marrin edhe projektin të cilin e ka dorëzuar kryetari Haliti, duke potencuar se do të bëjnë një revidim dhe saktësim të tij duke shtuar se vlera e këtij projekti është nga 1.5 milion deri në 2 milionë euro.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti e cilësoi këtë marrëveshje si shumë të rëndësishme për disa arsye.

”Natyrisht se e falënderoj ministrin Hasani dhe kabinetin e tij për nënshkrimin e kësaj marrëveshje shumë të rëndësishme, pra të Zonës Ekonomike, në  magjistralen që përfshin Vitinë, Gjilanin dhe lidhet me Ferizajn. Kjo zonë ekonomike në të vërtetë i ndihmon zhvillimit ekonomik, i absorbon investimet e huaja dhe investimet vendore sidomos ato të mërgatës sonë dhe të rajonit në përgjithësi”, u shpreh Haliti.

Ai shtoi se me këtë projekt bëhet një rrumbullakësim i procesit përpunim- prodhim.